Arrestohet i kërkuari për krime lufte, Ratko Mlladiç. Reagon Tirana: Triumf i drejtësisë ndërkombëtare, por i vonuar

Reagon kryeministri Berisha: Mlladiç përgjegjës për barbarinë serbe në Bosnje, arrestimi është aksion i vonuar
Presidenti serb, Tadiç: Po, Mlladiç është në pranga, fshihej me emër të rremë
Mediat serbe raportojnë se një person që dyshohet se është i kërkuari nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi, Ratko Mlladiç, është arrestuar në Serbi. Sipas mediave serbe arrestimi është bërë gjatë një operacioni sekret të policisë serbe, të kryer gjatë natës në territorin serb. Personi që dyshohet të jete Mlladiç, quhej Milorad Komadiç. I kërkuar nga 1995, Ratko Mlladiç, ish gjenerali serbo-boshnjak akuzohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për genocidin e 8 mijë myslimanëve të Srebrenicës, në Bosnje, në korrik të 1995-s. Menjëherë pas shpërndarjes së lajmit për arrestimin e Mlladiç, presidenti serb Boris Tadiç ka lajmëruar një konferencë për shtyp ku pritet të japë më shumë detaje për operacionin. Arrestimi i Ratko Mlladiçit është kusht për Serbinë për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.
Presidenti serb, Tadiç: Po, Mlladiç është në pranga, fshihej me emër të rremë
Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, përmes një deklarate për mediat konfirmoi lajmin për arrestimin e të kërkuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç. “I kërkuari për krime lufte është arrestuar”, tha presidenti serb. Ndërkohë njoftohet se para konferencës së tij për median, të arrestuarit që në imazh ngjante me Mlladiç, i është bërë analiza e ADN. Mediat bëjnë me dije se aksioni për arrestimin e të shumëkërkuarit ndërkombëtar është zhvilluar mbrëmë gjatë natës në territorin serb dhe në operacion kanë qenë të angazhuara forca të policisë dhe shërbimeve sekrete. Mediat serbe në Beograd raportuan më herët se sot në orët e mëngjesit është arrestuar një person, i cili dyshohet të jetë i shumëkërkuari nga Tribunali i Hagës për krime të luftës dhe gjenocid në Bosnje e Hercegovinë, Ratko Mladic. Operacioni i fshehtë i policisë erdhi pas lajmërimit se personi i arrestuar kishte disa shenja identifikimi të Ratko Mladicit. “Blic” bën të ditur se Mladic është arrestuar në Serbi, kurse ai ka shfrytëzuar dokumentet e falsifikuara me emrin Milorad Komadic. Pas arrestimit është bërë analiza e ADN-së për t’u verifikuar identiteti i tij.
Reagon kryeministri Berisha: Mlladiç, përgjegjës për barbarinë serbe në Bosnje, arrestimi është aksion i vonuar
Arrestimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, që akuzohet për masakrën e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 000 persona myslimanë është përshëndetur edhe nga Kryeministri shqiptar Sali Berisha.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp kreu i qeverisë shqiptare, e ka cilësuar arrestimin e Mladiç, si triumfin e drejtësisë ndërkombëtare dhe ngushëllim për shpirtrat e mijëra viktimave të pafajshme dhe familjeve të tyre.
Ai e ka cilësuar Mlladiç si njërin prej figurave me gjakësore më famëzeza në historinë e Ballkanit dhe të Europës dhe si përgjegjësin kryesor dhe direkt për genocidin dhe barbarinë serbe në Bosnje në tërësi dhe në Srebenicë në veçanti, ku organizoi shfarosjen në pak ditë të 8000 mijë fëmijëve burrave dhe grave të pafajshme.
“Arrestimi, ndonëse i vonuar i autorit të genocidit dhe masakrave më të mëdha që Europa ka njohur pas luftës së dytë botërore është triumf i drejtësisë ndërkombëtare dhe ngushëllim i madh për shpirtrat mijëra e mijërave viktimave të pafajshme dhe familjeve te tyre”, thuhet në deklaratën e kryeministrit shqiptar.
Ratko Mlladiç kërkohej prej 16 vitesh për genocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnje dhe Hercegovinë, nga Tribunali i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi
Lajmi për arrestimin e tij u bë i ditur nga Presidenti Serb Boris Tadiç i cili tha se me arrestimin e tij është pastruar emri i vendit, dhe më vonë u përshëndet nga një përfaqësi e lartë e ndërkombëtarëve, si kryediplomatja e Bashkimit Europian Catherine Ashton e cila gjatë ditës së sotme ndodhej për një vizitë në Beograd, nga Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle si dhe nga një sërë emrash e diplomatësh me emër.