E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji Zgjedhor rrëzon kërkesën e parë të PS. Arvizu: Deklarata e SHBA ishte e qartë, të respektohen institucionet ligjore

26-05-2011 / Gazeta 55

Kolegji Zgjedhor pushon kërkesën e Partisë Socialiste për vonesën e shpalljes së rezultatit të njësisë numër 5 në Tiranë. Ky është vendimi që ka marrë Kolegji Zgjedhor i kryesuar nga gjyqtari Petraq Dhimitri, për padinë e bërë nga PS ndaj KQZ që të shpall vendimin për tabelën përmbledhëse të KZAZ-së nr.49 në Tiranë. Pushimi i vendimit të Kolegjit Zgjedhor do të thotë që përderisa kjo çështje është kaluar në KQZ dhe janë miratuar tabelat, atëherë kërkesa e PS drejtuar Kolegjit nuk kishte objekt për tu shqyrtuar. Në seancë, avokatët e PS pretenduan se KQZ ka kaluar afatin 48 orë për të shpallur vendimin për tabelat e KZAZ nr.49, duke sjellë edhe mos shpalljen e rezultatit për Bashkinë e Tiranës. Ndërsa avokatët e KQZ, kanë pohuar se ky institucion i ka miratuar tabelat përmbledhëse, pas hetimit administrativë që ka bërë, pasi procesverbalet nuk ishin firmosur nga të gjithë anëtarët e KZAZ-së. Kështu, Kolegji vendosi pushimin e çështjes. Pas këtij vendimi, deputeti i PS Damian Gjiknuri ka bërë thirrje që Kolegji Zgjedhor të mos mbajë anën e asnjë partie politike


Arvizu: Deklarata e SHBA ishte e qartë, të respektohen institucionet ligjore


Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, është shprehur në mbështetje të deklaratës së dhënë një ditë më parë nga Kantrimen. Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, është shprehur në mbështetje të deklaratës së dhënë një ditë më parë nga Kantrimen. Ai u shpreh se deklarata e Kantrimenit ishte e qartë, e thjeshtë, konçize dhe mjaft e kuptueshme. “Nëse e keni lexuar me kujdes deklaratën, nuk ka asnjë pyetje përsa i përket qëndrimit të SHBA për situatën në Shqipëri. Ajo që Kantrimen ka nënvizuar, është ajo që unë mendoj. Duket lexuar e gjithë deklarata për të marrë kuptimin e saj dhe jo vetëm pjesët që u interesojnë”- u shpreh Arvizu. Komentet e tij, diplomati amerikan i bëri gjatë pjesëmarrjes në betimin e 39 vullnetarëve të korpusit të paqes, i cili kryhet për çdo vit në Elbasan. Betimi u krye pas përfundimit të trajnimit dhe duke nisur nga nesër do të nisin të punojnë në bashkitë, komunat, shkollat dhe qendrat shëndetësore në mbarë Shqipërinë. Gjatë dy viteve të ardhshme ata do të punojnë si mësues të gjuhës angleze, edukatorë për promovimin shëndetësor , këshilltarë në fushën e zhvillimit organizativ të komunitetit. Vullnetarët e Korpusit të Paqes e nisën aktivitetin e tyre në vendin tonë në vitin 1992 me ftesë të qeverisë shqiptare. Deri më tani në vendin tonë kanë shërbyer 310 mijë vullnetarë. Korpusi u themelua në vitin 1961 nga presidenti amerikan John Kenedy. Që nga ajo kohë, ai është i shpërndarë në më shumë se 140 vende të botës dhe ka si synim promovimin e vlerave dhe dhënien e ndihmës dhe kontributit konkret për popujt.


Gerti Bogdani: Edi Rama i trembet vendimit të dalë nga procesi demokratik

Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani, ka reaguar menjëherë pas deklaratës së kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, duke e cilësuar thellësisht të dëshpëruar dhe qartësisht konfuz. Gjatë një prononcimi për shtyp, deputeti i mazhorancës, i është drejtuar kreut opozitar, se e gjithë kjo pritje, është bërë me qëllimin e vetëm, për t’u lexuar qartë vullneti i qytetarëve. “Ai mendon se koalicioni i drejtuar nga partia e tij, fitoi zgjedhjet lokale, në një kohe kur 140,000 votues më shumë mbështetën koalicionin e Partisë Demokratike. Ai e konsideron kanibalizëm elektoral numërimin e votave kur në të vërtetë, kanibalizëm është të shmangësh numërimin e tyre. Ai mendon se mund të falenderojë komunitetin ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohe të gënjejë mbi deklaratat e tyre pa e vënë re askush. Partnerët ndërkombëtarët nuk kane thënë për asnjë moment se fletët e gjetura jo në kutinë e duhur nuk duhet të numërohen si dhe kanë qenë shumë të qartë në deklaratat e tyre se nuk ka patur asnjë formë manipulimi të votës. Në të vërtet, dje, Ndihmës Zëvendës Sekretari i Shtetit Amerikan, Tomas Kantrimen, qartësisht deklaroi se këto janë zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në vendin tone.
I tërë komuniteti ndërkombëtar, ka thënë vazhdimisht të njëjtën gjë, gjatë gjithë këtij procesi. Procesi normal ligjor, i cili qëndron në themel të çdo shteti demokratik duhet të vazhdojë dhe të gjitha palët duhet të respektojë vendimin e dale në përfundim të tij. Sot, Edi Rama u pyet nëse do të dëgjonte thirrjen e z. Kantrimen për të respektuar rezultatin e këtij procesi ligjor. Edi Rama nuk iu përgjigj kësaj pyetje. Në të vërtetë, heshtja e tij flet më shumë se çdo përgjigje që ai do mund të artikulonte”- u shpreh deputeti demokrat, Bogdani.
Ai shtoi më tej se Partia Demokratike i përgjigjet çdo qytetari, duke vlerësuar votën si mjetin me të drejtë demokratik.“Qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë: Ne kërkojmë që çdo votë të numërohet. Ne kërkojmë që demokracia te respektoje zërin e çdo qytetari si kusht themelor i funksionimit të një shteti demokratik dhe ligjor. Ne e respektojmë procesin ligjor dhe kërkojmë që ky proces të vazhdojë si dhe do presim ne qetësi për të pranuar çdo rezultat të dalë prej tij. Çdo ankesë e ngritur nga Edi Rama, në një vend demokratik, duhet të ndjekë një proces të rregullt ligjor. Por, Edi Rama nuk dëshiron të ndjeke udhëzimet e qarta të bëra nga çdo anëtar i komunitetit ndërkombëtar duke kanalizuar çdo ankesë të tij nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor”- deklaroi Bogdani.
Përmes një akuze të drejtpërdrejtë ndaj kryesocialistit, deputeti demokrat theksoi se Rama kërkon të errësojë procesin, sepse ai e di që procesi ka qenë i lirë, i drejtë dhe transparent dhe ai i trembet vendimit të dalë nëpërmjet një procesi demokratik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›