E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Edi Rama kërkon të mbrojë karrigen e tij edhe pse i ka humbur zgjedhjet

26-05-2011 / Gazeta 55

Mblidhet Kuvendi pas një ndërprerje 1 mujore. Opozita bojkoton punimet, të pranishëm vetëm deputetët Islami dhe Harasani


-- Kastriot Islami: Integrimi i vendit nuk bëhet duke bojkotuar parlamentin


UPDATE- Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur seancën e sotme të Kuvendit, për të përshëndetur edhe njëherë qytetarët për votëbesimin që i dhanë mazhorancës në 8 maj ndërsa deklaroi sërish se kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, i fitoi zgjedhjet për bashkinë e Tiranës. Sipas kryeministrit, qytetarët e shndërruan 8 majin në një ditë të idealeve të cmuara europiane dhe në një ditë historike për demokracinë shqiptare. “Është një kënaqësi e madhe shpirtërore se në keto zgjedhje votuan mbi 1.6 milion shqiptarë dhe kjo përbën një qetësim të një brenge 20 vjeçare. Kjo dëshmon që njerëzit në këtë vend kanë besim dhe janë të vendosur të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë”- u shpreh Berisha duke shtuar se mbështetja që shqiptarët i dhanë mazhorancës është edhe një përgjegjësi e madhe për të. Ndërkohë duke iu referuar situatës paszgjedhore, kryeministri Berisha akuzoi kreun e PS-së Rama se po krijon tensione vetëm për karrigen e tij. “Prej dy javësh vendi i shëmbëllen një teatri absurd. Nëqoftëse qytetarët votuan në 8 maj në mënyrën më të civilizuar, më europiane pas kësaj dite ndodhi rrethimi i KQZ-së, bllokime rrugësh dhe ultimatume dhe kërcënime. Të gjitha këto me një arsye të vetme sepse dikush kërkon me çdo kusht të mos respektojë votën e qytetarëve”- tha Berisha. Ai i bëri thirrje kreut të PS-së Edi Rama, që të deklarojë publikisht se do mirëpresë verdiktin e kolegjit zgjedhor, ndërsa shtoi se mazhoranca është e vendosur të mbrojë votën e qytetarëve me forcën e ligjit. “E ftoj Ramën të deklaroj se pret verdiktin dhe të shfrytëzojë potenciale që ofron sistemi për të paraqitur të gjitha kërkesat, tu faktojë shqiptarëve se ku po i kryhet padrejtësia dhe jo të nxijë një proces që shperh vullnetin demokratik të mbarë shqiptarëve. Unë e garantoj Ramën se jemi të përgatitur për çdo kërcënim apo ultimatum dhe asnjë skenar nuk do ta shkelmojë votën e shqiptarëve pasi jemi të vendosur ta mbrojmë votën me forcën e ligjit”- deklaroi ndër të tjera kryeministri Sali Berisha.


Kastriot Islami: Integrimi i vendit nuk bëhet duke bojkotuar parlamentin


Ashtu siç kishte paralajmëruar dy ditë më parë grupi parlamentar i PS-së nuk është i pranishëm në sallë përveç dy deputetëve Kastriot Islami dhe Andis Harasani të cilët e kanë thyer vendimin e grupit për të bojkotuar Kuvendin. Të dy deputetët e Partisë Socialiste janë paraqitur në seancën plenare të ditës së sotme. Në fjalën e tij deputeti i PS-së Kastriot Islami deklaroi se ndodhej në seancë për të dhënë një mesazh si mazhorancës ashtu edhe grupit parlamentar socialist. “I bëj apel grupit tim parlamentar, kreut të PS-së Rama por edhe juve dhe kryeministrit Berisha për reflektim. Duhet të jeni të kujdesshëm me kalendarin deri sa të merret një vendim nga Kolegji Zgjedhor”- theksoi Islami duke shtuar se vendi sot ndodhet në një situatë ku duhet të hidhet një hap përpara dhe vendi të vihet mbi shinat e një shteti ligjor. “Ndërkombëtarët na dhanë mesazhe të qarta. Nuk jam as kundër Rames, as “pro” Berishës, por dua integrimin e vendit”- theksoi më tej Islami. Partia Socialiste vendosi dy ditë më parë në mbledhjen e grupit të mos jetë e pranishme në të gjitha aktivitetet e Kuvendit si në komisione ashtu dhe në seanca, deri në pritjen e një vendimi nga Kolegji Zgjedhor për rezultatin e Tiranës.


Bode: Keqardhje që opozita zgjodhi të bojkotojë autostradën Tiranë-Elbasan

“Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan do të ketë një kosto prej 222 milionë dollarësh”.
Një fakt të tillë e ka pohuar ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë seancës së sotme plenare, duke prezantuar të dhëna mbi projektin e madh infrastrukturor që mazhoranca u ka premtuar qytetarëve të Elbasanit.
Ndërkohë që sipas tij, kredia në Bankën Islamike është marrë në dollarë, e cila është një monedhë e qëndrueshme.
“Ndiej keqardhje që opozita nuk gjendet e gjitha në sallë për ta mbështetur këtë marrëveshje të rëndësishme”- tha ai.


Kolegji Zgjedhor rrëzon ankimimin e “Aleancës për Qytetarin”, lë në fuqi vendimin për kreun e Bashkisë, Poliçan


Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përsa i takon rezultatit të zgjedhjeve për kreun e Bashkisë, Poliçan. Pas shqyrtimit, Kolegji vlerësoi si të drejtë arsyetimin që KQZ mori kur në tavolinën e saj mbërriti ankesa e kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Çaush Qato. Ky i fundit pretendoi për parregullësi në procesin e votimit në disa Qendra Votimi në Boliçan, si dhe gjatë procesit të numërimit të votave. Përfaqësuesit ligjorë të kandidatit Qato, gjatë ankimimit në KQZ pretenduan si të padrejtë fitoren e Adriatik Zotkaj, kandidat i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”. Pas dëgjimit të pretendimeve nga palët e përfshira në këtë proces, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të rrëzonte kërkesën ankimore të kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Përmes votimit 6 me 0, u vlerësua se kërkesa ishte e pabazuar në prova dhe në ligj. Ky vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u vlerësua tërësisht i drejtë nga Kolegji Zgjedhor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›