E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet ish-drejtori i një banke, vodhi 308 mijë euro

TIRANË- Policia arreston ish-drejtorin e filialit të një banke në Tiranë. Julian Lipe akuzohet për vjedhje duke shfrytëzuar detyrën.

Sipas policisë mësohet se Lipe ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme, në periudha kohore të ndryshme, rreth 308 mijë euro nga kasaforta e bankës ku punonte.

Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se njësia Task Force ka bërë arrestimin e tij në bashkëpunim me policinë. Nga hetimet e kryera pas kallëzimit penal nga institucioni financiar, Njësia e Përbashkët Hetimore (Task Force) pranë Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Tiranë, pas veprimeve hetimore të kryera në bazë të procedimit të nisur në dhjetor 2011, konstatoi se shtetasi Julian Lipe, duke përfituar nga pozita e tij si ish drejtor i filialit të kësaj banke në rrugën e Dibrës, ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 308 000 Euro.

Nga kjo shumë, 110 000 euro, Lipe i ka tërhequr nga kasaforta e bankës pas mbarimit të orarit zyrtar duke shfrytëzuar pozicionin e tij si Drejtor. Pjesën tjetër të shumës, shtetasi Julian Lipe e ka përfituar nëpermjet falsifikimit të formularëve, kartave të kreditit etj., në dëm të klientëve të ndryshëm të bankës.

Ndaj Julian Lipes është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›