E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, çështja do të shkojë në Apel

 Apelimi i vendimit të trupit gjykues do të bëhet nga Prokuroria, e cila kërkoi tre burgime të përjetshme për tre të pandehurit kryesor të përfshirë në ngjarje, por Gjykata dha vendimin me më pak se 20 vite burg për ta, ku asnjëri prej tyre nuk u dënua për vrasje.

“Do ta apelojmë vendimin”, u shprehën burime  nga Prokuroria e Tiranës, ku sipas të dhënave vendimi i Gjykatës do të apelohet në tërësi, ndërsa termat e përveçëm do të përcaktohen mbi bazën e një analize të hollësishme që do t’i bëhet vendimit të dhënë nga Gjykata. Por krahas Prokurorisë, në Apel do të shkojë edhe ish-kreu i MEICO-s, Ylli Pinari, një nga të akuzuarit e çështjes, i cili ka deklaruar se,  “prisja pafajësinë”, ndërsa  konfirmoi  faktin se, "do të ndjekë të gjitha hapat gjyqësore derisa të fitojë të drejtën e tij".

Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe disa të pandehur të tjerë, të cilët paraprakisht deklaruan se do ta apelonin vendimin e Gjykatës së Tiranës. Procesi gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, u mbyll pas rreth 4 vitesh seancash, ku Gjykata vendosi rreth 94 vite burg për të gjithë të pandehurit, ndërsa u vendos edhe një gjobë për disa të pandehur dhe për kompaninë Alba-Demil, rreth 43 milion lekë.

Një ditë më parë, Gjykata e Tiranës shpalli vendimi ku dënoi me nga 18 vjet burg ish-kreun e MEICO-s,Ylli Pinari dhe ish-drejtorin e Fabrikës ne Gerdec, Dritan Minxolli dhe me 10 vjet burg ish-administratorin shqiptar të "Albademil" sh.p.k, Mihal Delijorgjin, përkundër kërkeses së prokurorisë për dënimin e tyre me burgim të përjetshëm.

Gjykata rrëzoi akuzën për vrasje kundër të pandehurve, ndersa la në fuqi akuzat per  shperdorim te detyres,  shkateterrim të  pronës etj.   Ndërkohë,  me 10 vjet burg u dënua ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Sokol Ngjeçi, dhe me 6 vjet heqje lirie, bashkë me 4 vjet të tjera moslejim për ushtrim të detyrës, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha. Të pandehurit e tjerë, u dënuan me masa më të lehta dënimi, ndërsa disa u shpallën të pafajshëm.  /Start/

                                                                                             2012-03-13 13:49
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›