Arrestohet kryetari i Komunës Frashër, nuk tregoi parcelat e hashashit
Arrestohet Kryetari i Komunës Frashër dhe Kryeplaku i fshatit Miçan, si dhe asgjesohen rreth 1114 bimë narkotike Kanabis Sativa. Operacioni u zhvillua në Komunën Frashër të rrethit Përmet ku si rezultat u bë e mundur që në afërsi të banesave dhe rrethinave të fshatit Miçan, të evidentohen 14 parcela të kultivuara me bimë narkotike të dyshuara si Kanabis Sativa. Sipas Drejtuesve të policisë Kryetarit të Komunës i është kërkuar informacion lidhur me zonën në bazë të ligjit “Për Barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, ku detyron drejtuesit vendorë të japin informacione për kultivim të këtyre bimëve në territoret që ata mbulojnë. Por Kryetari i Komunës Frashër Tomor Kotorri, si dhe kryeplaku i fshatit Miçan, Faslli Canka, nuk kanë dhënë asnjë informacion për kultivimin. Arrestimi i tyre është bërë për veprat penale të moskallzimit të krimit, shpërdorimit të detyrës si dhe kultivimit të bimëve narkotike pasi në momentin e konstatimit të parcelave nga ana e policisë, në afërsi të tyre është gjendur kryeplaku Faslli Canka.