E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet në Londër "SHIK-asi i fundit"

Ilir Kumbaro akuzohet për zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe identifikimi i bë nga familja e viktimës bashkë me prokurorinë

TIRANË- Këmbëngulja e familjarëve të biznesmenit kosovar Remzi Hoxha dhe angazhimi i tyre në rrugë private, ka vënë në lëvizje Prokurorinë e Përgjithshme të kërkojë nga homologët anglezë arrestimin e ish-drejtuesit të SHIK-ut të Tiranës shtetasin shqiptar Ilir Kumbaro. Ai që nga vitit 1996 fshihej në Londër me identitet të rremë. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës dhe vetë vëllait të Remzi Hoxhës, Nebihut. Ky i fundit, gjatë një bisede telefonike me "Shekullin" në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, pranoi se familja Hoxha ka bashkëpunuar gjithmonë me organin e akuzës në Tiranë, për të gjetur dhe identifikuar shtetasin Ilir Kumbaro i cili fshihej në shtetin londinez që prej 12 vitesh me identitetin e një shtetasi kosovar. "Që nga dita e rrëmbimit të vëllait tonë Remzi Hoxha, familja jonë ka kërkuar ndihmë dhe bashkëpunim me organet shtetërore në Shqipëri. Por, vetëm pas shkurtit të vitit 2006 familjes Hoxha, i janë hapur dyert për të gjetur dhe identifikuar personat që prej 13 viteve e kanë rrëmbyer dhe zhdukur vëllanë tonë. Ne si familje, pas shumë kërkimeve private, kemi arritur të identifikojmë shumicën e personave që kanë marrë pjesë në rrëmbimin e Remzi Hoxhës dhe për këta persona kemi dhënë shpjegime të vazhdueshme në Prokurori. Edhe për rastin e shtetasit Ilir Kumbaro, ne si familje jemi interesuarpër identifikimin e vendndodhjes së tij, që falë ndihmës së të njohurve tanë kemi arritur të gjejmë edhe vendin ku ai strehohej, vend për të cilin kemi lajmëruar edhe në prokurori. Institucion ky që është treguar i gatshëm të gjejë dhe të vendosë para drejtësisë përgjegjësit e rrëmbimit të Remzi Hoxhës",- tha dje vëllai i viktimës së Remzi Hoxhës, Nebihu. Në përfundim të fjalës së tij, vëllai i vogël i familjes Hoxha u shpreh për "Shekullin" se "bashkëpunimi me prokurorinë ka qenë i vazhdueshëm dhe informacionet që ne i kemi siguruar në mënyrë private lidhur me vendndodhjen e shtetasit Ilir Kumbaro, i kemi deponuar në institucionin e akuzës që besoj ka sjellë këtë arrestim që familja jonë e ka pritur prej shumë kohësh". Ndërkohë, edhe burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, e konfirmojnë faktin se familjarët e Remzi Hoxhës kanë ndihmuar shumë në identifikimin e vendndodhjes së SHIK-asit Kumbaro, informacione këto që i janë vënë në dispozicion prokurorisë londineze. "Pas shkëmbimit të informacionit me familjarët e Remzi Hoxhës, të cilët në mënyrë private dhe me ndihmën e një shqiptari në Angli, kanë mundur të gjejnë vendndodhjen dhe të dhënat personale që Ilir Kumbaro përdorte në shtetin anglezë, konkretisht në një qytezë pak kilometra larg Londrës",-thanë burimet e prokurorisë. Sipas tyre, operacioni për arrestimin e tij ka ndodhur mbi dy javë më parë, ku policia londineze ka arritur të bindet se ish-SHIK-asi Ilir Kumbaro përdorte identitet të rremë, nën emrin e një kosovari, dokumente me të cilat kishte fituar edhe lejën e qëndrimit. Pas, dhëniës së këtyre informacioneve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, autoritetet e drejtësisë anglezë kanë kërkuar nga ish-SHIK-asi të depozitonte dokumente origjinale me emrin e kosovarit për të hedhur poshtë dilemat ndaj personit të tij. Me 6 tetor është zhvilluar një seancë gjyqësore, ku Kumbaro do të paraqiste këto dokumente, por në pamundësi për t'i siguruar ato dokumente origjinale, policia e "Scotland Yard" i ka vënë prangat duke e izoluar në qeli, ku kanë lajmëruar menjëherë Interpol-Tiranën për arrestimin e tij. Këta të fundit mbrëmë nuk e konfirmuan lajmin, duke mjaftuar vetëm me fjalët "se nuk kemi informacione". Ndërkohë, edhe burimet nga Ministria e Drejtësisë, institucion nga kanë kaluar shkresat dhe fotografitë e ish-SHIK-asit e kanë konfirmuar lajmin e arrestimit të tij.

AVNI KOLDASHI PËR ILIR KUMBARON

"E kam rrëmbyer Remzi Hoxhën në hyrje të punishtes së tij dhe pastaj jam nisur në drejtim të daljes së kryeqytetit. Kam ndaluar në kodër Kamëz, ku më janë afruar dy makina të tjera të SHIK-ut. Personat që dolën më kujtohen si fytyra por jo si emra. Ishin disa kryeinspektorë. Unë kam dalë nga makina dhe menjëherë ka ardhur Ilir Kumbaro. Ia dorëzova atij biznesmenin kosovar dhe ne u kthyem për në Tiranë, ndërsa ai ka vazhduar më tej që nuk e di se ku ka përfunduar bashkë me Remzi Hoxhën".

DETYRA

Ilir Kumbaro në momentin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës ka qenë në detyrën e Kryetarit të Degës së Parë në drejtorinë e SHIK-ut në kryeqytet dhe është një nga personat që ka marrë pjesë vetë për rrëmbimin dhe shoqërimin e Remzi Hoxhës drejt ndërtesës së SHIK-ut në Vainë të Lezhës. Sipas prokurorisë, ka qenë ai personi i fundit që është parë me Remzi Hoxhën dhe mendohet se ndaj dhunës së SHIK-asit Hoxha ka ndërruar jetë.

GJENERALITETET

Ilir Kumbaro; i biri i Nazmiut dhe Fitnetes, i datëlindjes 1953, lindur në Peqin dhe banues në Tiranë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, i martuar, me arsim të lartë, me gjendje gjyqësore i padënuar,

AKUZA

TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi, dhe Budion Meçe, kanë kryer veprën penale të "Rrëmbimit të personit" në tri raste të kryera në bashkëpunim dhe "Tortura me pasoja të rënda" në tri raste, të kryera në bashkëpunim. Rrëmbimet dhe torturimet e këtyre personave, në muajt shtator-tetor 1995, janë organizuar dhe realizuar në bashkëpunim nga Arben Sefgjini me detyrën zv/ Drejtor dhe më pas Drejtor i SHISH-it në Tiranë, Ilir Kumbaro me detyrën Kryetar i degës Parë në Drejtorinë e SHISH-it në Tiranë, Avni Koldashi me detyrën Shef i Bazës së Vëzhgimit nr.10 Tiranë, dhe Budion Meçe, me detyrën inspektor në Drejtorinë e Shërbimit Informativ Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›