E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dërgohet në gjykatë dosja e skafistëve nga Lezha

 

Prokurori ka mbyllur hetimet për 11 personat që hodhën në det klandestinët për t'i shpëtuar arrestimit nga policia

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon për gjykim dosjen e 11 të pandehurve e akuzuar për trafik të qenieve njerëzore, nga Shqipëria-Mali i zi-Bosnje-Kroaci për të përfunduar në Itali vetëm me 3900 euro për person. Sipas kërkesës për gjykim që 'Shekulli" ka siguruar një kopje, të 11 të pandehurit nën drejtimin e shtetasve Ardian Corri dhe Gëzim Tafaj kanë organizuar dhe dërguar në drejtim të Italisë shumë persona, duke shfrytëzuar rrugët tokësore dhe në më pas detare me anë të gomoneve. Sipas prokurorisë, organizatorët e këtij rrjeti Corri dhe Tafaj kishin rekrutuar në grup të pandehurit: Rexhep Çuku, Aleksandër Malaj, Dilaver Hajdini, Lek Frroku, Ardian Marku (Gjelosh), Altin Gjeloshaj, Ndrek Preçi, Paulin Markaj dhe Pjetër Tusha të cilët gjenin persona që dëshironin të iknin në Itali kundrejt pagesës prej 3900 euro për person. Sipas akuzës, këta të pandehur në pamundësi për të vazhduar trafikun tokësore me anë të linjave të autobusit dhe makinave, kanë blerë në Mal të zi një gomone, të cilën me datë 10 janar të këtij viti e ngarkojnë me 44 persona për t'i dërguar në Itali. Ngarkimi i gomones është bërë në vendin e quajtur grykëderdhja e lumit Mat ku pasi janë nisur në drejtim të Italisë, janë detyruar nga Guardia di financa që të kthehen mbrapsht, ku pa mbërritur në breg i kanë hedhur në lumë të gjithë këto 44 persona. Ata, pasi kanë dalë në breg janë marrë në pyetje ku kanë treguar të gjithë itinerarin e rrugës dhe personat që i kanë organizuar. Dosja tashmë ndodhet në duart e pesëshes gjykuese të drejtuar nga gjyqtari Dritan Hallunaj dhe me datë 28 tetor është caktuar seanca e parë gjyqësore. Akuzat zyrtare ndaj të pandehurve janë "Dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›