E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Strategjia e PS-së, për fitoren e zgjedhjeve

Sekretari për çështjet ligjore në selinë rozë, Kastriot Islami, vlerëson se, maksimalizimi i suksesit të PS-së, do vijë vetëm nga bashkimi me zgjedhësit

Betejë politike me kundërshtarët dhe në konkurencë të ndershme me të gjithë aleatët. Ky është thelbi i strategjisë elektorale që, Partia Socialiste, pritet të zbatojë për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme elektorale të qershorit të ardhshëm. Sekretari për çështjet elektorale në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, shpjegon hapat konkretë, që kjo forcë politike do të ndërmarë përgjatë gjithë muajve në vazhdim, me qëllim final, fitoren e zgjedhjeve dhe ndryshimin e qeverisjes. Ai shpjegon gjithashtu edhe zgjidhjet që do të jepen në Kodin e ri Zgjedhor përsa i përket KQZ-së, dhe komisioneve të qendrave të votimit, duke bërë të qartë se po shkohet drejt kufizimit të numrit dhe balancimit politik të tyre.

Z. Islami mbeten edhe vetëm dhjetë ditë nga mbarimi i mandatit të shtyrë të komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që mbeten ende shumë çështje për t'u dhënë zgjidhje. Mendoni se brenda kësaj kohe do të mbarojë reforma?

Mund të artikuloj vetëm vullnetin politik dhe angazhimin e PS-së; ato janë maksimalë për ta përfunduar këtë reformë, prioritet të prioriteve, brenda afatit. Qëndrimet e PS-së janë të qarta dhe janë pjesë e një platforme të hartuar, gati 18 muaj më parë. Pala tjetër, ndonëse në panik nga zhvillimet e muajve të fundit, besoj se, në prag të hartimit të raportit të progresit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, do të tregohet e përgjegjshme për të mundësuar sjelljen e paketës së ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për shqyrtim në Kuvend.

Një nga çështjet që ka mbetur ende pezull, është edhe ajo e formatimit të institucionit që do të merret me administrimin e zgjedhjeve. Ka PS-ja tashmë një mendim të sajën, se si do të kompozohet KQZ-ja? Pra, cila do të jetë formula e përbërjes së saj, sa anëtarë do të ketë dhe mbi ç'rezultat zgjedhor do të bazohet?

Së pari, duhet të mirëkuptohemi se, në këtë fazë, nuk mund të jem më eksplicit sesa më lejohet, për shkak se procesi ndodhet në fazën përfundimtare, ku janë të përfshirë të gjithë përfaqësuesit e partive politike, anëtarë të komisionit ad hoc kuvendor, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Por, mund t'ju them se, përgjithësisht, komisionet do të kenë përmasë më të vogël, do të jenë të balancuar dhe do të rezultojnë funksionalë. E njëjta gjë mund të thuhet për KQZ-në, e cila, për më tepër, mundet të jetë për një pjesë të anëtarëve, me kohë të pjesshme. Ky është vizioni dhe qëndrimi i PS-së.

Po përsa u përket komisioneve të qendrave të votimit dhe atyre të numërimit, a është gjetur konsesusi me PD-në? A vazhdon PS-ja t'i mbetet besnike propozimit të saj për një kompozim me juristë të tyre?

Parimet dhe qëndrimet e PS-së janë ato që thashë pak më sipër, komisionet do të reduktohen në numër anëtarësh, do të jenë maksimalisht të balancuar, do të ketë kërkesa profesionalizmi më të forta, seleksionimin e anëtarëve të komisioneve, nuk do të mund të bllokohet funksionimi i tyre, do të ketë transparencë maksimale të aktivitetit të tyre dhe, ndoshta penalitete, kur shkelet ligji. Nuk jam në dijeni të opsioneve të PD-së, apo anëtarëve të tjerë të komisionit, as edhe të ndonjë konsensusi midis PS-së dhe PD-së, apo me parti të tjera. Për momentin, ky është informacioni që mund të ofroj.

PS-ja ka nisur zbatimin e strategjisë së saj elektorale, sipas një materiali të miratuar edhe në mbledhjen e fundit të kryesisë. Si është parashikuar që të organizohet fushata e PS-së. Pra, cilat janë fazat dhe çfarë parashikohet të ndodhë në secilën prej tyre?

Veprimi elektoral i PS-së do të kryhet në tri faza: I) faza përgatitore, II) faza e trajnimit dhe futjes në veprim paralektoral të strukturave partiake e elektorale dhe, III) faza e përzgjedhjes së kandidaturave, shpalosjes së programit dhe fushata elektorale. Për secilën fazë, detyrat janë të kalendarizuara, në kohë dhe në hapësirë. Duke patur parasysh sistemin e ri zgjedhor, synimi është që të realizohet një veprimtari elektorale intensive e koherente në ekip, e shoqëruar me detyra e përgjegjësi të qarta individuale. Në fazën e parë, do të kryhet tranformimi dhe zgjerimi i strukturave partiake në struktura elektorale, përmes një skeme moderne, të aplikuar në vendet e tjera në fushatat e fundit. Në fazën e dytë, do të kryhet kualifikimi dhe trajnimi i këtyre strukturave, si dhe ndërtimi i bazave të të dhënave për kryerjen e një fushate marketingu politik, moderne. Në fazën e tretë gjithçka do të fokusohet në bashkëveprimin me zgjedhësit, në komponenten mediatike, takimet derë më derë, tavolinat e profesionistëve, debatet televizive, në salla, e tjerë e tjerë.

Një çështje tjetër që ngjall shpeshherë interes, është edhe ajo e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet. Ju jeni shprehur më parë se ato do t'i përzgjedhë elektorati. Kur do të ndodhë ky proces dhe, mund të na thoni sesi do të procedohet realisht?

Kam thënë dhe besoj se, përgjithësisht kështu do të jetë, që, krahas ndërtimit të profileve shumështresore për secilin qark, do të ketë një teknologji komplekse për ndërtimin e rezervuarit të kandidatëve për deputetë dhe seleksionimin prej tyre të ekipeve konkuruese. Profilet shumështresore të çdo qarku, do të ndërtohen mbi bazën e rezultateve elektorale të deritanishme, sondazheve, të përbërjes sipas komuniteteve dhe sensibiliteteve të ndryshme brenda çdo qarku/rrethi, të përbërjes gjinore, moshore, arsimore, urbane/rurale, profesionale, e tjerë e tjerë, të elektoratit. Kurse ndërtimi i rezervuarit të kandidatëve, do të bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes, e ruajtjes dhe freskimit të elitave politike, e respektimit të parimit për krijimin e shanseve të barabarta gjinore, e ndërtimit të një kuvendi profesionalisht funksional dhe politikisht me integritet moral, e tjerë e tjerë. Krahas strukturave partiake, do të përdoren edhe mekanzima të tjerë konsultimi të "rezervuarit të kandidaturave", me pjesë të elektoratit, duke synuar marrjen e një informacioni maksimal, që do të na lejonte të përzgjidhnim kandidatët që do të gëzonin mbështetjen më të madhe elektorale. Por, duhet patur parasysh se, në këtë proces, ne nuk do të kufizohemi vetëm në përcaktimin e vetëm të ekipit politik prej 140 kandidatësh për deputetë. Krahas kësaj dhe përgatitjes së programit të qeverisjes, po të punohet përmes një skeme komplekse moderne për evidentimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, brenda dhe jashtë partive, brenda dhe jashtë vendit, që do të përbëjnë, sëbashku me punonjësit e talentuar, tashmë prezentë e të kualifikuar, në administratën publike, "rezervuarin" e burimeve njerëzore, për të zbatuar programet ambicioze të qeverisjes së ardhshme.

PS-ja ka vendosur tashmë të dalë në zgjedhje me një koalicion të përbërë pa LSI-në. Ju, si sekretar për çështjet elektorale, i keni bërë llogaritë e duhura, sesa mund të jetë dëmi real në numra deputetësh, që mund shkaktojë një garë e tillë pa LSI-në aleate?

Ne kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë llogaritje mbi bazën e shifrave që marrim sistematikisht nga sondazhet e opinionit publik. Deri tani, ne nuk kemi marrë vendime konkrete për mënyrën konkrete dhe përbërjen e koalicioneve. Por, pasi kemi lexuar me shumë vëmendje ligjin zgjedhor, situatën elektorale në vend, vlerësimet dhe qëndrimet e kundërshtarëve dhe të aleatëve, por, mbi të gjitha, dinamikën e sjelljes së elektoratit që mbeshtet PS-në, si dhe duke synuar një qeverisje të qëndrueshme e të suksesshme për shqiptarët, larg interesave të ngushta të lidershipit, apo të politikanëve, kemi përcaktuar objektivin elektoral dypërmasor, maksimalizim i suksesit elektoral të grupimit politik, përmes maksimalizimit prioritar të suksesit të forcës sonë politike. Dhe, për të arritur këtë objektiv, ne, në fushatën elektorale, do të bashkëveprojmë e bashkohemi vetëm me zgjedhësit, duke qenë në betejë politike me kundërshtarët dhe në konkurencë të ndershme me të gjithë aleatët tanë. Besojmë se, kjo teknologji, maksimalizon suksesin për forcën tonë politike, për secilën nga forcat tona aleate e, për rrjedhojë, për të gjithë grupin tonë politik. Sistemi proporcional, nuk presupozon negocime/pazare individësh në tavolina paraelektorale, por projekton bashkëpunime parimore e programore ekipesh të "peshuara" saktësisht nga vetë zgjedhësit. Nga llogaritjet e bazuara në të gjithë llojet e shifrave, të marra në të shkuarën e afërt, apo nga sondazhet aktuale,ky konkluzion kualitativ, vërtetohet edhe kuantitativisht. Suksesi i grupit maksimalizohet vetëm kur maksimalizohet suksesi i çdo anëtari të saj dhe, sistemi proporcional, dekorrelon maksimalisht suksesin e grupit nga ndikimet negative të konkurimit të brendshëm, bile në realitet, me shumë gjasa, mund të ndodhë e kundërta.

Për rezultatin:

"Pasi kemi lexuar me shumë vëmendje ligjin zgjedhor, situatën elektorale në vend, vlerësimet dhe qëndrimet e kundërshtareve e të aleatëve, por mbi të gjitha dinamikën e sjelljes së elektoratit që mbeshtet PS-në, si dhe duke synuar një qeverisje të qëndrueshme e të suksesshme për shqiptarët, larg interesave të ngushta të lidershipit, apo të politikanëve, kemi përcaktuar objektivin elektoral dypërmasor, maksimalizim i suksesit elektoral të grupimit politik, përmes maksimalizimit prioritar të suksesit të forcës sonë politike"

Për KQZ-në:

"Mund t'ju them se, përgjithësisht, komisionet do të kenë përmasë më të vogël, do të jenë të balancuar dhe do të rezultojnë funksionalë. E njëjta gjë mund të thuhet për KQZ-në, e cila, për më tepër, mundet të jetë, për një pjesë të anëtarëve, me kohë të pjesshme. Ky është vizioni dhe qëndrimi i PS-së"

Për komisionet:

"Komisionet do të reduktohen në numër anëtarësh, do të jenë maksimalisht të balancuar, do të ketë kërkesa profesionalizmi më të forta, seleksionimin e anëtarëve të komisioneve, nuk do të mund të bllokohet funksionimi i tyre, do të ketë transparencë maksimale të aktivitetit të tyre dhe, ndoshta, penalitete kur shkelet ligji"

Për kandidatët:

"Krahas strukturave partiake, do të përdoren edhe mekanzima të tjerë konsultimi të "rezervuarit të kandidaturave" me pjesë të elektoratit, duke synuar marrjen e një informacioni maksimal, që do të na lejonte të përzgjidhnim kandidatët që do të gëzonin mbështetjen më të madhe elektorale"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›