E Enjte, 5 Nëntor 2026

Arrestohet në Spanjë Aleksandër Frroku, ishte në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në kuadër të bashkëpunimit policor me Spanjën është ndaluar Aleksandër Frroku, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar me vendim të Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Sipas njoftimit të Policisë, “falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë me homologët spanjollë, është lokalizuar, kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimin një shtetas shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht”.

“Në kuadër të operacionit “Weekend”, në Spanjë u bë arrestimi provizor me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë i shtetasit Aleksandër Frroku, 31 vjeç, banues në Laç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit Tiranë, në vitin 2018, e ka dënuar me 4 vjet burgim për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Interpol Tirana po vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Madridin për ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha sot gjatë punimeve në Komisionit të Punëve të Jashtme, se arrestimi i të shpallurve në kërkim është një prioritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›