Arrestohet në Tiranë ushtari i fundit i Aldo Bares
Është vënë në pranga pas tre vitesh në kërkim, anëtari i fundit i lirë i Bandës së Lushnjës. Arjan Aliço është arrestuar mbrëmjen e së martës në Tiranë, në një banesë që e kishte marrë me qira. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, 46-vjeçari Aliço është arrestuar pas më shumë se tre muaj përgjimesh dhe hetimesh intensive. Dy agjentë të seksionit të personave të shpallur në kërkim në Drejtorinë e Qarkut të Fierit kishin rënë në gjurmët e tij dhe kanë njoftuar mbrëmjen e së martës për gjetjen e banesës ku ai rrinte. Menjëherë nga Fieri është nisur skuadra operacionale, ndërkohë që për rrethimin dhe arrestimin e tij mësohet se Policia e Fierit ka marrë mbështetje edhe nga ajo e Tiranës. Madje, burime nga grupi i skuadrës operacionale që bëri të mundur arrestimin e anëtarit të fundit të bandës së Aldo Bares, bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se gjatë zbatimit të operacionit të koduar "I fundit", ku u arrestua 46-vjeçari Arjan Aliço, mungonte urdhri i ekzekutimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Urdhri i arrestit është prerë pak orë pas prangosjes së Aliços, për faktin e vetëm se pas afrimit tek ai, policia ka rendur ta prangosë dhe jo të plotësojë dokumentacionin. Ndalimi i 46-vjeçarit lushnjar është bërë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, më datë 21 prill 2006, ka nxjerrë për të masën e sigurimit "arrest me burg". Ai është akuzuar për veprat penale të "pjesëmarrjes në organizatë kriminale", "kryerje e veprave penale nga organizata kriminale", "vjedhje me dhunë", "dhunimi i varreve". Operacioni i koduar "I fundit", ishte pjesë e operacionit "Laguna" për arrestimin e anëtarëve të bandës kriminale të Lushnjës. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit tregojnë për gazetën se 46-vjeçari Arjan Aliço, gjatë periudhës trevjeçare të kërkimit, është strehuar në disa shtëpi të afërmish dhe të njohurish në disa qytete të vendit, si në Fier, Vlorë, Berat, Sarandë dhe Korçë. Mësohet se që nga viti 2006 kur dhe është shpallur në kërkim, ai nuk është larguar asnjëherë nga vendi. Një takim me të dashurën e ka tradhtuar përfundimisht atë, pasi policia ka përgjuar telefonatën. Disa muaj më parë, Aliço kishte siguruar një banesë me qira në një nga lagjet qendrore të Tiranës. Ai qëndronte gjithnjë brenda shtëpisë dhe nuk rrezikonte asnjëherë të dilte. Edhe mbrëmjen e së martës, Aliço priste të takonte në vigjilje të festës së Shën Valentinit të dashurën, por nuk mundi, pasi sapo hapi derën në shtëpi, hynë policët që mundën ta arrestonin. Policia e Fierit kishte rënë në gjurmët e Aliços para tre muajsh, kur kishte ndjekur të dashurën e tij nga Lushnja drejt Tiranës, por vetëm dy net më parë është arritur të gjendet shtëpia e tij.