Arrestohet një mushkë që transportonte drogë
Policia ka ndalur një mushkë të ngarkuar me drogë, që sillte ngarkesën nga Lazarati drejt Delvinës. Mushka u kap në vendin e quajtur Maja e Sopotit, nga ku dyshohej se do të kalonte ngarkesa me lëndë narkotike.
Burime zyrtare nga policia thanë për noa.al se nga operacioni i zhvilluar në orët e parë të mëngjesit u arritën të sekuestroheshin 3 çanta të zeza, brenda të cilave ndodheshin 82 pako me lëndë narkotike, e ngjashme me atë të llojit cannabis sativa, të cilat ishin të ngarkuara mbi një mushkë.
Nga verifikimet e policisë thuhet se lënda narkotike ishte nisur për në Greqi, ndërsa vijon puna për kapjen e dy transportuesve njëri prej të cilëve është identifikuar.
