Shqipëria e nis me FITORE rrugën e Botërorit. Mposht Qipron 3-1 (VIDEO)
(E PERDITESUAR)- Shqipëria ka dhuruar spektakël në nisje të eliminatoreve për Botërorin 2014 në Brazil duke mposhtur Qipron me rezultatin 3-1. Për italanian De Biazi ka qenë një rezultat shumë i mirë, për shkak se Qipro konsiderohej një rival direkt.
Tre golat për Shqipërinë janë shënuar nga Armando Sadiku, Edgar Çani dhe Erion Bogdani. Shqipëria ka dhuruar një paraqitje dinjitoze, duke sulmuar e duke qenë në kontroll të lojës.
Shqipëria e nisi mirë ndeshjen kur Hamdi Salihi, pas një topi të krosuar në zonë tenton një roveshatë, por pa sukses.
Vetëm pas 11 minutave lojë, Shqipëria ndëshkohet me kartonin e parë të verdhë. Pikërisht Lorik Cana ka marrë kartonin, ndërkohë që tifozët janë irrituar, duke e quajtur këtë ndëshkim të padrejtë.
Pas një loje përgjithësisht në mesfushë, në minutën e 37 vjen goli nga Armando Sadiku. Goditje dënimi nga e majta, Meha leshon topin në zonë, Armando Sadiku arrin të shmangë mbullimin e mbrojtësve dhe me koke e dërgon topin në rrjetë.
Kur mendohej se pjesa e parë do mbyllej me këtë rezultat, qipriotët shënojnë një gol të befasishëm. Laban nga e djathta e dërgon topin në zonë, asnjë futbollist kuqezi nuk e prek dhe përfundon direkt në rrjetë, 1-1.
Pjesa e dytë ka nisur sërish me një lojë të mirë të kuqezinjve. Por në minutën e 57 kombëtarja për pak është ndëshkuar pas një gabimi të Vilës.
Janë dashur dhjetë minutat e fundit që kombëtarja të marrë nën kontroll situatën dhe të shënojë dy gola. Njëri prej tyre, një supergol i Bogdanit.
Në minutën e 84 shënon Çani. Hyka nga e majta lëshon një top në zonë, shtatlarti kuqezi Çani ngrihet mbi të gjithë dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë, 2-1 për Shqipërinë.
Tre minuta më vonë Erjon Bogdani nga distanca lëshon një predhe dhe 3-1. Një supergol për të çuar peshë shqiptarët.
SHQIPERI QIPRO 3-1
SHQIPERI: Ujkani, Mavraj, Lila, Dallku, Cana, Kukeli, Bulku, Vila (Bogdani 71), Meha, Salihi (Çani 81), Sadiku (Hyka 58). Trajner: Xh. De Biazi
Qipro: Georgallides (Mastrou 46) , Charalambous, Merkis, Dossa Júnior, Aloneftis, Nikolaou, Charalambidis (Christof 55), Makridis, Laban, Demetriou, Konstantinou (Avram76). Trajner: N. Nioplias
