Reeker i jep dy porosi Berishës: Mos prek institucionet dhe zgjedhjet!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin javët e ardhshme kritike, por edhe vendimtare për Shqipërinë. Mesazhi i shkurtër por shumë i qartë Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker, fton palët të tejkalojnë interes e ngushta politike dhe të mendojnë për interesin e vendit. Në konferencën për shtyp me kryeministrin Berisha, zyrtari i lartë amerikan tha se SHBA-ja do mbajë nën vëzhgim Shqipërinë.
Vizita e Reeker
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Philip Reeker, pas takimin me kryeministrin Berisha deklaroi se SHBA-të do të ndjekin nga afër zhvillimet gjatë vitit të ardhshëm. “Uashingtoni do ta ndjekë Shqipërinë vitin e ardhshëm nga shumë afër. Shpresojmë të shohim përparim në reforma dhe respektim të pavarësisë së institucioneve demokratike. Javët e ardhshme janë veçanërisht kritike. Janë kritike në të demonstruarit e reformave dhe seriozitetin e qëllimeve që shkojnë përtej politikës e që pasqyrojnë interesin më të mirë dhe dëshirat e popullit shqiptar tha ai.
Zgjedhjet me lupë
Duke shprehur angazhimin për realizimin e reformave dhe falënderimin për kontributin amerikan ndaj shqiptarëve kryeministri Sali Berisha ftoi Uashingtonin që në zgjedhjet e ardhshme të jetë fuqimisht prezent si monitorues i procesit. Unë e njoha zotin Reeker me të gjitha reformat e ndërmarra, me problematikën që ne përballemi dhe që ekziston, me vendosmërinë e qeverisë për të merituar statusin e vendit kandidat dhe me vendosmërinë e qeverisë për të bërë çdo gjë për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe ftesën time ndaj qeverisë dhe institucioneve të Shteteve te Bashkuara, për një prani sa më të gjerë të tyre në zgjedhjet e ardhshme, shtoi kryeministri. Në vizitën e parë në Tiranë që prej një viti kur është emëruar në detyrën e tij në DASH, ambasadori Reeker ka pasur një axhendë të ngjeshur e cila ka nisur me një konferencë për Rolin e ardhshëm të NATO-s dhe BE-së në Evropën Juglindore që u mbajt në Durrës. Zyrtari i DASH pati një takim edhe më ministrin e Jashtëm Edmond Panariti ndërsa gjatë pasdites do të qëndrojë në zyrën e kreut të shtetit Bujar Nishani.
Takimi 80 minuta
Takimi Reeker-Berisha ishte parashikuar të zgjaste 60 minuta por kjo kohë ishte e pamjaftueshme për intensitetin e çështje që zoti Reeker kishte për të ndarë me Kryeministrin duke e zgjatur takimin edhe 20 minuta të tjetra. Zoti Reeker ndodhet në Tiranë për një vizitë disaditore në kuadër të konferencës Roli i ardhshëm i NATO-s dhe BE-së në Europën Juglindore, zgjerimi i BE dhe sfidat transatlantike”. Në qendër të bisedimeve të zotit Reeker më zyrtarët shqiptarë pritet të jenë zhvillimet e fundit në vend.
Reeker takon Ina Ramën, por jo kreun e SHISH
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pati dje një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip Reeker. Ina Rama bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë Shqiptare, angazhimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke synuar gjithnjë rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe mirëfunksionimin si institucion i pavarur. Në vijim të fjalës së saj, kryeprokurorja, bëri një panoramë të institucioneve të drejtësisë, mënyra si funksionojnë dhe ndërlidhen ato me njëra tjetrën, si dhe sfidat me të cilat ndeshet sot drejtësia shqiptare. Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, z. Philip Reeker, duke vlerësuar punën e Prokurorisë Shqiptare, theksoi se në një demokraci funksionale është e rëndësishme pavarësia e institucioneve. z. Reeker, në këtë aspekt, duke njohur rezultatet pozitive të arritura, e cilësoi Prokurorinë Shqiptare si një partner të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë takimit u cekën dhe probleme të reformës në sistemin e drejtësisë, mirëfunksionimit dhe bashkëpunimit midis institucioneve në fushën e drejtësisë dhe marrëdhëniet midis pushteteve në respekt të funksionimit të shtetit ligjor.