E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një serb i dyshuar për vrasjen e 13-vjeçarit

Nga Express më 06 mars 2011 në ora 21:06

(E plotësuar) Policia rajonale e Gjilanit ka arrestuar një serb të dyshuar për vrasjen e Leotrim Musliut, 13-vjeç, nga fshati Uglarë i komunës së Gjilanit.

Musliu ishte qëlluar të shtunën pasdite me armë zjarri ndërmjet fshatrave Uglarë dhe Pasjan të Gjilanit, derisa ai po kthehej së bashku me babanë e tij nga mali, ku kishin shkuar për të marrë dru.

Ismet Hashani, zëdhënës i policisë rajonale në Gjilan, ka bërë të ditur se lidhur me rastin kanë arrestuar një person të dyshuar nga radhët e komunitetit serb, me inicialet Zh.S. (1967) nga fshati Pasjan.

Banorët e Uglarës kanë raportuar edhe më herët në polici se kanë telashe me serbët e fshatit Pasjan. /kosovapress/

Vritet një 13-vjeçar në Gjilan

Një fëmijë 13-vjeçar është qëlluar me armë zjarri ndërmjet fshatrave Uglarë dhe Pasjan të Gjilanit dhe ka vdekur në orët e pasdites së shtunës.

Viktima është dërguar menjëherë në qendrën emergjente në Gjilan, mirëpo në kohën kur ka arritur ka qenë pa shenja jete.

Sipas policisë, viktima, i shoqëruar nga babai dhe disa persona të tjerë, po ktheheshin nga mali, ku kishin marrë dru.

Policia dyshon se ngjarja të ketë ndodhur ndërmjet fshatrave Uglarë dhe Pasjan.

Djaloshi 13-vjeçar, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, është nga fshati Uglarë, komuna e Gjilanit.

Policia ende nuk i di kryesit e këtij rasti.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›