E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shef Grabovci

Adem Grabovci është emëruar Shef i Grupit Parlamentar të PDK’së. Paraprakisht, kjo pozitë i ishte ofruar Fatmir Limajt, por ai e kishte refuzuar. Në një prononcim për Express, Grabovci thotë se zgjedhja e tij në këtë post është bërë pa asnjë kundërshti. Nga Express më 06 mars 2011 në ora 09:42

Ish-Zëvendësministri i Transporteve, Adem Grabovci nuk është pjesë e Qeverisë Thaçi II, por ai tashmë e ka marrë një post të rëndësishëm brenda Partisë Demokratike të Kosovës.

Në mbledhjen e fundit të Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaçi me deputetët e partisë së tij është vendosur që Adem Grabovci të jetë Shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

“Propozimin e ka bërë Kryetari i partisë, nëpërmes strukturave drejtuese të partisë dhe është votuar në Grupin Parlamentar”, ka thënë Grabovci, për Express, të shtunën.
Por, përpara se të votohej për Grabovcin, Hashim Thaçi, sipas burimeve të Expressit, këtë post ia ka ofruar Nënkryetarit Fatmir Limaj, mirëpo ai nuk e ka pranuar këtë detyrë.

Sido që të jetë, për kandidaturën e Grabovcit nuk ka pasur asnjë kundërshtim.

“Do të bëj përpjekje të arsyetoj këtë besim që ma kanë dhënë”, ka thënë ai, për gazetën.

Grupi Parlamentar i PDK’së duket i përçarë pas seancës së 22 shkurtit, kur u zgjodh Presidenti i ri i Republikës. Aty dolën haptazi kundërshtitë e nj pjese të deputetëve të kësaj partie, në krye me Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajn.

Pikërisht për këtë shkak, PDK’ja ka pasur kujdes në zgjedhjen e njeriut që do ta drejtojë grupin e saj parlamentar.
Por, a është arritur kjo.

“Ne bëjmë përpjekje të gjejmë gjuhë të përbashkët, të jemi të njëzëshëm, por kjo nuk do të thotë se deputetët janë të obliguar të mendojnë ashtu si mendon dikush, ndonjë deputet tjetër”, ka thënë Adem Grabovci.

Sipas tij, qëndrimet ndryshe brenda një grupi duhet të shikohen si vlerë demokratike, e jo si përçarje.

“Secili e ka të drejtën e mendimit ndryshe dhe votës së lirë dhe askush nuk shkon nga ajo që t’u imponohet kundër vullnetit të tyre”, ka shtuar ai.

Në mandatin e kaluar të legjislativit të vendit, Shef i Grupit Parlamentar të PDK’së ishte Ramë Buja, i cili tash mban postin e Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›