E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i humbjeve

Pas pesë vjetëve humbje, KEK’u s’do ta furnizojë më Feronikelin me rrymë me kushtet e deritanishme. Prej muajit prill të këtij viti, kur edhe përfundon kontrata mes Feronikelit dhe KEK’ut, furnizimi do të ndërpritet ose të bëhet me çmime të rregullta. Për këtë, KEK’u ka mbështetje edhe nga ZRRE’ja. Nga Albulena Maloku më 06 mars 2011 në ora 09:37

Muaji prill pritet të shënojë fundin e privilegjeve të Feronikelit që i ka nga Korporata Energjetike e Kosovës për furnizim me rrymë. Prodhuesi i nikelit mund të mos furnizohet me çmim të lirë të energjisë nga Korporata, pas skadimit të kontratës pesëvjeçare që e kanë këto dy kompani.

Për pesë vjet rresht, Feronikeli e ka blerë rrymën më lirë sesa është çmimi real, gjë që i ka shkaktuar humbje KEK’ut deri në 20 milionë euro gjatë një viti.
Për këtë ndërprerje të kontratës, Korporata energjetike duket se e ka mbështetjen edhe të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas një raporti të ZRRE`së, ende nuk është marrë vendimi për ndërprerjen e kontratës, por opsionet janë të mundshme për ndërprerje apo furnizim me tarifa të rregullta.
“Kjo do të varet nga vendimi i Feronikelit për të kërkuar që të furnizohet me tarifa të rregulluara dhe nga vendimi i ZRRE`së nëse ekziston apo jo konkurrencë e mirëfilltë në furnizimin me energji”, thuhet në raport.

Neni 41.1 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë thekson se tarifa e rregulluar aplikohet për konsumatorët e kualifikuar vetëm atëherë kur ZRRE’ja vlerëson se nuk ka konkurrencë efektive në furnizim me energji elektrike.
Në raportin e kësaj zyre thuhet se ky autoritet është në procesin e hartimit të kritereve për vlerësimin e ekzistimit të konkurrencës efektive në treg.
“Këto kritere do të publikohen për konsultim me publikun”, thuhet më tej në raportin e ZRRE’së.

Aty tregohet edhe se mund të ndodhë që Ferronikeli të furnizohet edhe me tarifë të parregulluar, vetëm nëse vlerësojnë se konkurrenca në furnizim është efektive.
Vlerësimet e ZRRE’së supozojnë se kjo kompani do të furnizohet me tarifë të rregulluar që reflekton koston e shërbimit.

KEK’u është duke rinegociuar kontratën dhe në aplikacionin tarifor ka kërkuar ndryshimin e tarifave. Sipas ZRRE`së, Korporata si furnizues publik, nuk mund të refuzojë kërkesën e Ferronikelit për t’u furnizuar.

“Megjithatë, KEK`u mund t’i vendosë tarifat dhe ngarkesat që aplikohen, përveç nëse ZRRE’ja vendos se duhet të aplikohet tarifë e rregulluar”.
Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK’ut, pohon se në aplikacionin tarifor kanë kërkuar që konsumatorët e kyçur direkt në nivelin 220 kilovolt të tarifohen me 42 euro për megavat. Ai tregon se kanë filluar rinegociimin e kontratës, por tha se ende nuk ka asnjë vendim për këtë çështje.

“Kontrata përfundon nga mesi i muajit prill të këtij viti dhe kemi kërkuar ndryshimin e tarifave për kontratën e re”, thotë zëdhënësi Buzhala.
KEK`u po ashtu parasheh rritje të shitjeve të energjisë elektrike prej 24.3 për qind nga 2,800 gigavat për orë në 3,481 gigavat për orë. Rritja e shitjes vjen si rezultat i parashikimeve që Feronikeli do të shndërrohet në konsumator që furnizohet nga tarifat e rregulluara. Shitjet vjetore për Feronikelin janë parashikuar të jenë 678 Gwh. Në aplikacionin tarifor të Korporatës thuhet se do të refuzojnë të furnizojnë me kontratë të parregulluar këtë kompani pasi që të skadojë kontrata e tanishme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›