Ua marrin bukën
Në vendin ku ata fitonin bukën e gojës, tashmë u është ndaluar hyrja. Mund të duket paradoksale, por banorët romë të lagjes “Kolonia” në Gjakovë, me vite të tëra thonë se kanë siguruar ekzistencën nga mbeturinat në deponinë që ndodhet në lagjen e tyre. Ata kanë mbledhur çfarë kanë mundur aty, të cilat më pas i kanë shitur.
Madje edhe pse në këtë deponi mbeturinash kanë humbur jetën katër persona, duke mbledhur gjësende të ndryshme, ata sërish e duan këtë deponi.
Kapllan Hasani është kryetar i lagjes “Kolonia”. Vdekjen e këtyre personave ai e konsideron si akt heroik dhe një arsye më shumë që deponia të mos i jepet nën menaxhim kompanisë private “Liridoni”.
“Kjo do të thotë që kemi persona që kanë humbë jetën aty për t’u ushqyer, e tash vjen dikush pa djersë, pa humbje të jetëve, na e merr burimin nga ku ushqeheshim ne”, thotë Kapllani për Express.
Konflikti ndërmjet romëve dhe Komunës së Gjakovës për deponinë ka disa ditë që ka filluar. Madje romët edhe kanë protestuar. Meqë Komuna i ka dhënë kompanisë private “Liridoni” që ta menaxhojë deponinë, romët thonë se tash kërkimi i tyre në mbeturina u është ndaluar. Sipas tyre, me këtë akt, atyre u është ndaluar qasja në burim për jetë.
Ato që mblidhnin në deponi, romët i shisnin te kryetari Kapllan Hasani. Kështu, Kapllani u jepte atyre paratë dhe “mallin” e mbledhur e shiste diku tjetër.
Tashmë ka disa ditë që deponinë, e cila më parë mbikëqyrej nga kompania publike “Çabrati”, e ka marrë nën menaxhim kompania private “Liridoni” nga Gjakova. Kjo e fundit ua ka ndaluar hyrjen të gjithë banorëve, përveç atyre që janë të punësuar aty. Një akt i tillë i ka nervozuar disa nga banorët e lagjes. Prandaj ata në shenjë pakënaqësie, janë detyruar të protestojnë të martën.
Kapllan Hasani thotë se me këtë veprim kompania e kontraktuar për riciklim të mbeturinave, ka lënë pa bukë shumë familje. “Banorët kane mbledhur mbeturinat nga aty, i kanë sjellë tek unë dhe unë i kam blerë ato. Kështu kjo lagje ka fituar bukën e gojës”, rrëfen Hasani për Express.
Por tash, ai thotë se me ardhjen e kompanisë private, banorët nuk kanë çka të hanë më. “Nuk kanë kah t’ia mbajnë. Askush nuk ka më punë, ka disa ditë që ata nuk kanë çfarë të hanë, përveç disave që janë të punësuar këtu tek unë”, pohon Hasani. “Pos disa ndihmave që i kemi marrë para disa ditësh, nga një thes miell secili, por ky miell nuk qëndron gjithmonë”, u shpreh ai.
Hasani, përveç se është kryetar i lagjes “Kolonia”, ka edhe një biznes të vogël, në të cilin ai ka të punësuar gjashtë meshkuj të lagjes. Të gjithë banorët që deri vonë mblidhnin mbeturinat në deponinë tashmë të privatizuar, ia shisnin ato Kapllanit, e ai më pas e bënte selektimin e tyre dhe i rishiste. Me ato të holla, Kapllani paguante punëtorët e tij.
Por me ardhjen e kompanisë private, e cila tash po kujdeset për mbeturinat, Hasani thotë se do të detyrohet t’i largojë nga puna këta punëtorë dhe ta mbyllë biznesin. “Këta banorë s’kanë nga të marrin bërllok e të m’i shesin mua, prandaj tash unë do të duhet që këto çka kanë mbetur t’i shes e ta mbyll biznesin”, pohon ai.
“Komuna as nuk ka hapur tender për këtë privatizim, se unë do të aplikoja, prandaj unë shumë po dyshoj që këtu ka diçka”, shprehet i shqetësuar ai.
Jetmir Rragomi, menaxher i kompanisë “Liridoni”, thotë se daljen e banorëve në protestë nuk e ka kuptuar. Sipas tij, njeriu nuk mund të ushqehet nga mbeturinat. “Nuk e kuptoj pse këta banorë thonë që janë ushqyer nga këto mbeturina. Ato përveçse kanë qenë tepër shqetësuese për shëndetin e tyre, nuk kanë pasur asnjë dobi tjetër”, thekson ai për Express.
Ai thotë se pikërisht nga këto mbeturina kanë pësuar edhe disa banorë të lagjes. “Janë katër banorë që kanë vdekur si shkak i këtyre mbeturinave. Këtu ka gjithçka, shiringa, gjak, mbeturina nga më të ndryshmet. Secili nga fëmijët e lagjes ka qenë në rrezik”, vlerëson Rragomi.
Por përveç banorëve të “Kolonisë”, sipas Rragomit, në hall për shkak të këtyre mbeturinave ka qenë i gjithë qyteti i Gjakovës. “Ka pasur raste kur banorët i kanë kallë mbeturinat. Tymi është përhapur në gjithë qytetin, shpesh është ndotur ambienti”.
Andaj, Rragomi thotë se me marrjen e deponisë nën menaxhim jo vetëm që kanë shpëtuar banorët e lagjes “Kolonia”, por e gjithë Gjakova.
Njësoj si Rragomi mendon edhe Haki Krasniqi, banor i “Kolonisë”. Hakiu është njëri ndër të punësuarit si rojë. “Katër persona kanë vdekur duke mbledhur bërllok. Pos kësaj, këta fëmijë shkojnë në shkollë me të njëjtat rroba që mbledhin bërllokun. Kjo përbën rrezik për të gjithë”, thotë ai.