Arrestohet një serb, protesta dhe të shtëna armësh në veri

Situata në zonën e “Tre rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës është tensionuar, ndërsa banorëve shqiptarë të kësaj zone u është vështirësuar lëvizja. Breshri të shtënash nga armët automatike dhe revolet janë dëgjuar në protestën e rreth 100 serbëve, që po mbahet para objektit ku është vendosur administrata e komunës paralele serbe në veri të Mitrovicës.
Protestuesit serbë kërkojnë lirimin e Jovica Milkoviç, i cili është arrestuar sot nga policia e Kosovës, me dyshimin se kishte shkatërruar kontnjerin e punktit policor te “Tre rrokaqiejt”. Situata është shumë e tensionuar. Ndërsa para shtëpive të tyre po zhvillohet protesta e serbëve, banorëve shqiptarë u është vështirësuar lëvizja për në jug të Mitrovicës. Në zonën e “Tre rrokaqiejve” gjenden disa patrulla të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, ndërsa askund nuk vërehen pjesëtarë të EULEX-it.
Milkoviç është arrestuar sot në orët e mëngjesit, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës, ndërsa është shoqëruar në Drejtorinë rajonale të Policisë në Mitrovicë. Ai po hetohet në cilësi të të dyshuarit për përfshirje në grup në vepra penale “dëmtim të pronës së luajtshme” të Policisë së Kosovës, dhe “mosrespektim të urdhrave të zyrtarëve të Policisë së Kosovës”.
Protestuesit serbë në prani të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it kanë sulmuar fizikisht gazetarët shqiptarë, të cilat po mbulonin situatën në veri.