Arrestohet për mitmarrje shefi i auditit në Drejtorinë e Burgjeve
LEZHË - Është arrestuar sot pasdite shefi i auditit të Brendshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Artur Brahja. Burimet policore thanë se 42 vjeçari, Brahja kishte kërkuar 100 mijë lekë rryshfet për të futur në punë një polic në burgun e Shënkollit Lezhë.
Sektori i Krimit Ekonomik ka hetuar mbi veprimtarinë në punë të zyrtarit të Drejtorisë së Burgjeve, pasi kishte të dhëna se ai kerkonte para per vendet e punes Policia e Lezhës bashkëpunoi me atë të Tiranës për prangosjen e Artur Brahjes i cili akuzohet për korrupsion dhe për shpërdorim detyre.
Brahja u denoncua nga një ish-punonjës i burgjeve. Ai paditi eprorët për shkarkim të padrejtë nga puna. Gjykata i dha të drejtë dhe vendosi rikthimin e policit në punë dhe dëmshperblim nga institucioni me 500 mije leke. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Brahja i kishte kërkuar denoncuesit shumën prej 100 mijë lekësh të reja në këmbim të zbatimit të vendimit të gjykatës, per ta rikthyer ne pune.