Shkodër, gjendet nëna 17 vjeçare e foshnjës së braktisur
SHKODËR - Foshnja që u gjet dje e braktisur në Kishën e Zojës në Shkodër është sjellë në jetë nga një nënë vetëm 17 vjeçare e cila e la fëmijën në kishë me shpresën se dikush do ta merrte e ta çonte në brefotrof. Ajo vetë i tha policisë se nuk mund ta bënte këtë veprim për shkak të opinionin, pasi fëmija erdhi në jetë, nga një lidhje e pa konsoliduar mes dy të rinjve.
Një ditë pas braktisjes, policia bëri të mundur identifikimin e nënës së foshnjës dhe ndaj saj nisi procedimi penal, në gjendje të lirë, për braktisje të foshnjës së mitur. Sipas policisë, nëna e foshnjës është 17 vjeçarja G.G , banuese në lagjen "Partizani" në Shkodër. Identifikimi i saj është bërë i mundur nga verifikimi i regjistrit të lindjeve dhe dëshmive tw besimtarëve që kanë qenë në objektin e kultit në momentin kur është gjetur foshnja.
Mësohet se e mitura, e shoqëruar dhe nga e ëma, ka pohuar në polici, se foshnja ishte e saj, fryt i një lidhjeje të jashtëligjshme dhe se nuk kishte mundësi ta mbante. Për këtë, ka pohuar ajo, "e lashë në kishë tek vendi i ndezjes së qirinjve, në një orar kur dihet se aty ka besimtarë, në mënyrë që dikush ta gjente dhe ta dërgonte në brefotrof". Pas kryerjes së veprimeve përkatëse, nëna e mitur ka firmosur që fëmija të rritet të Shtëpinë e Fëmijës Shkodër.
Braktiset foshnja dyditëshe
dt. 5 tetor
SHKODËR- Ajo që e solli në jetë e ka lënë në derën e kishës. Nëna është shpallur në kërkim, ndërsa policia ka çuar në maternitet të porsalindurën. Besimtarët kanë dëgjuar të qarat e bebes dhe kanë lajmëruar menjëherë policinë. Kjo e ka gjetur foshnjën që mendohet të jetë vetëm dyditëshe dhe e ka dërguar në spital e pastaj në maternitet. Policia po bën hetimet përkatëse lidhur me këtë ngjarje, ndërsa foshnja mësohet se ka arritur gjallë në spital dhe po i bëhen ekzaminimet e nevojshme.
E porsalindura u gjet rreth orës 16:30 në Kishën e Zojes në qytetin e Shkodrës. Kjo kishë ndodhet në hyrje të qytetit, sapo kalon urën e Bahçallekut në të djathtë të saj. Ai është vend pelegrinazhi që frekuentohet nga besimtarët e krishterë.