E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet për trafik municionesh kampioni i Europës

Peshëngritësi Daniel Godelli u kap me 63 fishekë pistolete në Portin e Vlorës

Një kampion Europe në pranga për trafik municionesh. është vetëm 19 vjeç dhe me të ardhme premtuese në peshëngritje, por karriera e tij është vënë seriozisht në pikëpyetje pasi Policia e Vlorës i ka gjetur 63 fishekë në çantë gjatë një kontrolli të bagazheve në Portin e Vlorës. Daniel Godelli, djaloshi që na bëri krenarë në vitin 2008, kur mori tri medalje ari dhe u shpall kampion absolut i Europës për të rinjtë, dje i është shtuar listës së gjatë të të rinjve shqiptarë që kërkojnë të pasurohen nëpërmjet veprimtarive kriminale.

Burime nga Policia e Vlorës sqaruan se fishekët e pistoletës në çantën e Godellit u gjetën gjatë kontrollit rutinë në pikën e kalimit kufitar, përpara se peshëngritësi 19-vjeçar të hipte në tragetin e linjës Vlorë-Brindisi. Djaloshi është shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë së Vlorës, ndërsa krerët e policisë lokale kanë kontaktuar menjëherë me Komisariatin e Peqinit, ku banon 19-vjeçari. Policia e Peqinit ushtroi një kontroll në shtëpinë e Sulejman Godellit, babait të Danielit dhe gjeti atje një pistoletë, disa granata dore, disa detonatorë dhe një numër të madh fishekësh, të të njëjtit lloj me ata që iu kapën djalit në Vlorë. Në pranga përfundoi edhe Sulejman Godelli. Daniel Godelli u shpall kampion i Europës në korrik të vitit 2008 në kampionatin e të rinjve të zhvilluar në Amiens të Francës. Ai fitoi medalje ari në stilin e shkëputjes me 118 kg, në shtytje me 145 kg dhe në dygarësh me 263 kg.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›