Murat Koliqi e rrahu vëzhguesin se nuk e lejoi të qëndronte në stol
Vëzhguesi i Federatës Shqiptare të Futbollit, Sazan Velçani, është rrahur barbarisht, vetëm sepse po bënte detyrën e tij. Ish-gjyqtari i njohur nga Patosi ka zbuluar detajet e ngjarjes që çuan deri në dhunën fizike ndaj tij, nga presidenti i Burrelit, Murat Koliqi, dhe dy lojtarë matjanë. Përpara takimit Sopoti-Burreli, të fituar 1-0 nga skuadra e Librazhdit, Velçani i kishte kërkuar drejtuesit të klubit mik të largohej nga stoli ku qëndrojnë stafi teknik dhe lojtarët zëvendësues. Kjo është një prej pikave strikte të rregullores së futbollit, ku asnjë person i paakredituar, qoftë ky edhe kreu i skuadrës, nuk mund të qëndrojnë në pankinë gjatë ndeshjes. Por, zbatimi i një prej pikave të “biblës” së sportit më popullor në vend nuk është pëlqyer nga Koliqi, që pasi e ka ndjekur pjesën e dytë të takimit nga tribuna, më pas ka rrahur të dërguarin e FSHF-së. “I kërkova presidentit të Burrelit që të mos qëndronte në stol. Rregullorja nuk e lejon një gjë të tillë dhe pjesën e dytë të ndeshjes ai e pa nga tribuna. Por, në përfundim të takimit, së bashku me dy lojtarë të skuadrës, Koliqi mu afrua dhe më dhunuan”, ishte rrëfimi i Velçanit. “Me shqyrtimin e kësaj çështjeje po merret gjykata? Nuk dëshiroj që problemet e sportit të zgjidhen nga gjykatat, por nga drejtësia sportive. Qëndrim të njëjtë ka edhe federata dhe jam dakord që gjithçka duhet të zgjidhet brenda familjes së futbollit”.
Velçani, i cili qëndroi disa minuta pa ndjenja, u dërgua menjëherë në spital. Prej plagëve të rënda që kishte marrë në kokë edhe trup, për afro 2 orë ai ka marrë ndihmën e shpejtë. Menjëherë pas dhunës së ushtruar ndaj vëzhguesit të ndeshjes, Koliqi është arrestuar nga policia e Librazhdit. Akuza që rëndon ndaj presidentit të Burrelit është goditje për shkak të detyrës. Sot ai do të paraqitet në Gjykatën e Elbasanit: rreth kësaj çështjeje, prokurorët e rrethit kanë bërë të ditur se në akuzën ndaj Koliqit kanë marrë parasysh edhe precedentët e klubit matjan. Masa minimale e ndëshkimit për dhunën ndaj zyrtarit të federatës është gjobë monetare, ndërsa ndëshkimi maksimal parashikon burgim deri në tre vjet.
#