E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunë pafund, goditet anësori në Bilisht

Të kuqtë fitojnë 0-3 në një ndeshje ku nuk munguan incidentet e dhunshme

Dhuna është kryefjala e kësaj mesjave futbollistike në Shqipëri.
Pas dhunës së fundit në Sopoti-Burreli, e cila është në pritje të ndëshkimit të rëndë të Komisionit të Disiplinës, Kategoria e Parë rikthehet potencialisht e dhunshme edhe të enjten. Vetëm 24 orë pasi vëzhguesi Sazan Velçani u plagos rëndë nga goditjet e presidentit të Burrelit, Murat Koliçi, dhe dy lojtarëve të tjerë, dhuna rishfaqet edhe në Bilisht, ku Partizani arrin të marrë një fitore të rëndësishme 0-3, por që duket se do të mbahet mend më shumë për incidentin e shëmtuar, ku gjyqtari anësor është goditur nga një send i fortë, i ardhur nga tribuna. Të kuqtë marrin fitoren e parë me trajnerin Gerti Haxhiu në kampionat, në ndeshjen e prapambetur të javës së 16 kundër Bilisht Sport në fushën e këtyre të fundit, me rezultatin e thellë 0-3, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme në rrugën drejt Superiores. Minutat e para janë të mira për Partizanin, që hidhet në sulm dhe fiton menjëherë një goditje nga këndi. Disa minuta më pas vjen dhe rasti i parë i ndeshjes, por Maringlen Kapaj nuk arrin të shënojë në portën e Bilishtit. Më pas Partizani, megjithëse vazhdon të jetë kërkues, nuk arrin të ndërtojë sulme të rrezikshme dhe e mbyll pjesën e parë me një lojë të dobët, duke u përballur edhe me një Bilisht të motivuar nga një shpërblim i premtuar nga drejtuesit. çdo gjë ndryshon në pjesën e dytë. Partizani fillon të sulmojë dhe gjen golin e avantazhit me Karapicin në minutën e 72 nga pika e penalltisë. Vendimi i dyshimtë në favor të Partizanit ka acaruar lojtarët e Bilisht Sportit, që kanë kontestuar ashpër gjyqtarin Ciapi, i cili ka nxjerrë me karton të kuq dy prej lojtarëve vendas. Pas këtij episodi, tifozët e Bilishtit godasin me sende të forta vijërojtësit, i cili në momentet e protestës ndodhej përkrah gjyqtarit kryesor. Pas incidentit, loja është ndërprerë 10 minuta, deri sa asistenti ka marrë ndihmën e parë dhe ndeshja ka rifilluar normalisht. Duke përfituar nga epërsia numerike, pasi Bilishti kishte mbetur me 9 lojtarë, Partizani demonstron superioritet dhe vazhdon të sulmojë. Rizvanolli dyfishon rezultatin vetëm tri minuta pas rifillimit të lojës. Tifozët filluan të godisnin me gurë gjyqtarin anësor. Në fund të ndeshjes Rizvanolli shënon edhe një herë tjetër, duke fiksuar fitoren me shifrat 0-3 në Bilisht. Me këto tri pikë, Partizani prek më në fund zonën e play-off, pasi tani ka 39 pikë dhe renditet në vend të katërt në renditje. Të kuqtë kanë katër pikë më pak sesa Lushnja dhe Elbasani, që mbajnë vendin e dytë dhe të tretë, ndërsa ka vetëm një pikë më shumë se Ada dhe Kamza, që renditen më poshtë. Karapici, i cili ka shënuar 9 gola në 19 ndeshje, renditet tashmë në vend të pestë në renditjen e golashënuesve në Kategorinë e Parë që kryesohet nga një ish-lojtar i kuq, Romeo Hamzaj me 15 gola. Rizvanolli, i cili shënoi një dygolësh në këtë ndeshje, arrin në kuotën e 3 golave në 6 ndeshje, që është aktivizuar që kur erdhi në janar nga Vllaznia.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›