Arrestohet tutorja, siguronte klientë për një shtetase tjetër
DURRES- Një 34-vjeçare, banore e qytetit të Durrësit, është vënë në pranga pas hetimeve që ka kryer policia në lidhje me shfrytëzimin e prostitucionit ndaj një shtetaseje tjetër. 34-vjeçarja me inicialet T.A. është arrestuar rreth orës 21.00 të ditës së djeshme, pas hetimeve të kryera në lidhje me aktivitetin e shfrytëzimit të prostitucionit. Në sajë të operacionit të koduar me emrin “Flagranca”, efektivat e seksionit kundër trafiqeve të paligjshme kanë kapur në flagrancë shtetasen me iniciale S.B., e cila është kapur duke kryer marrëdhënie seksuale me pagesë. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se shtetasja në fjalë është kapur rreth orës 14.00 në një banesë në lagjen 4 të Durrësit, ndërkohë që klientët e saj siguroheshin nga 34-vjeçarja, e cila tashmë është vënë në pranga. Të njëjtat burime kanë saktësuar se prej një jave shtetasja S.B. kryente marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm, të cilët siguroheshin nga tutorja e saj T.A. Kjo e fundit mësohet se u merrte personave të interesuar nga 1000 lekë, ndërkohë që përfitimet financiare nga ky aktivitet i merrte që të gjitha shtetasja me inicialet T.A. Ajo akuzohet tashmë për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. A.K.