Rrëfimi i babait: Si i gjeta të vdekur dy fëmijët brenda në shtëpi
DIBËR- Shuhen dy fëmijë në Dibër pas një shpërthimi të fuqishëm. Malvin e Nexhmie Kurti, vëlla e motër, kanë mbetur të pajetë dje në të gdhirë, në banesën e tyre. Burime pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër bëjnë të ditur se shpërthimi kobsjellës ka ndodhur rreth orës 05.00 dhe nuk janë sqaruar ende rrethanat e tij. Për shkak të shpërthimit kanë humbur jetën Malvin Kurti 20 vjeç dhe Nexhmie Kurti 22 vjeçe dhe është plagosur rëndë nëna e tyre Violeta Kurti, 44 vjeçe. Pra, gjysma e familjes Kurti nga fshati Brest i komunës Kastriot janë përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Fqinj të familjes Kurti thanë se janë zgjuar menjëherë, sapo kanë dëgjuar shpërthimin dhe janë drejtuar për te shtëpia e Arif Kurtit. “Dëgjuam një zhurmë të madhe dhe dolëm menjëherë nga shtëpia. Te shtëpia e Arifit dëgjuam njerëz që po qanim. Sa hymë brenda pamë përtokë tre fëmijët e familjes Kurti. Nuk kishim parë kurrë gjëmë më të madhe. Fillimisht morëm dy vajzat dhe i futëm në një makinë dhe i nisëm për në spitalin e Peshkopisë, ndërkohë djali kishte ndërruar jetë” - thanë komshinj të 51-vjeçarit Arif Kurti. Sipas tyre, dy prindërit kishin dalë nga banesa për të kryer punët e stinës, ndërsa fëmijët ndodheshin ende brenda. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë lokale dhe ato të prokurorisë së rrethit. Ndërkohë pak më vonë kanë mbërritur me helikopter edhe ekspertë të ardhur nga Tirana. Fillimisht është përhapur lajmi se familja Kurti është sulmuar me tritol, ndërkaq më vonë është deklaruar se ngjarja është aksidentale. Megjithëse të tronditur nga ngjarja tragjike, babai i fëmijëve që humbën jetën ka thënë për grupin hetimor se nuk kishte konflikt me askënd dhe nuk arrinte të sqaronte si ka ndodhur ngjarja. Policia dhe prokuroria hedhin poshtë për momentin se ngjarja është e qëllimshme. Burime jo zyrtare thanë se Malvin Kurti kishte humbur dy krahët. Kjo ka krijuar idenë se lëndën shpërthyese mund ta ketë patur në duar Malvini. “Nuk kemi përcaktuar ende llojin e lëndës shpërthyese. Nuk dimë nëse ka qenë tritol, granatë, dinamit apo bombol gazi, por dihet fakti se shpërthimi ka qenë i fuqishëm. Copa të tavanit kanë rënë përtokë, çka tregon se lënda shpërthyese ka patur fuqi të madhe” - thanë burime pranë grupit hetimor. Mësohet gjithashtu si janë marrë copa të rëna përtokë, është kryer autopsia e viktimave dhe janë pyetur shumë dëshmitarë për të sqaruar plotësisht ngjarjen e pazakontë. As vajza e plagosur rëndë nuk ka mundur dot që t’i shpëtonte plagëve të marra. Ndërsa djali i vogël i shtëpisë, Doriani, nuk ka dhënë sqarime rreth ngjarjes. E ëma e viktimave Violeta, fillimisht është shoqëruar për në spitalin e Peshkopisë dhe më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike për jetën, ndërsa djali i fundit i familjes Kurti, nuk ndodhej në dhomën e ngjarjes në momentin e shpërthimit.