Arrihet marrëveshja Moratti-Thohir

Pas pesë muajsh bisedime intensive, ka marrë fund telenovela Thohir-Moratti. Palët njoftuan pasditen e së enjtes rënien dakord për shitblerjen e aksioneve dhe nga java e ardhshme, Interi do të jetë “indonezian”.
Moratti dhe miliarderi aziatik arritën akordin në takimin e zhvilluar në orët e paradites në Paris. Në njoftim thuhet se është rënë dakord për shitjen e një kuote aksionesh të klubit të Interit. Në ditët e para të javës së ardhshme pritet hedhja e firmës nga të dyja palët marrëveshjen që u arrit në kryeqytetin francez.
Me këtë marrëveshje Moratti i jep fund presidencës 18-vjeçare tek Interi. Ai ka qenë aksioner kryesor tek zikaltrit nga Milano që prej 18 shkurtit të vitit 1995 dhe gjatë presidencës së tij skuadra ka fituar 5 kampionate, 4 Kupa Italie, 3 Superkupa Italie, 1 Ligë Kampionesh, 1 Botëror për Klube dhe 1 Kupë UEFA./indeksonline/