Arrihet marrëveshja, mungojnë firmat

Sali Berisha dhe Edi Rama “nervozojnë” ambasadorët. Negociatat e fshehta me ndërmjetësimin e diplomatëve perëndimorë, me qëllim zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, janë dekonspiruar dje nga ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Ky i fundit ushtroi presion publik ndaj dy personazheve kryesore të politikës shqiptare për të dhënë pëlqimin e tyre mbi një marrëveshje të diskutuar në kanalet e ngushta diplomatike. Mësohet se PS-ja ka pranuar ashtu sikurse PD-ja opsionin e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, por ka dhënë një alternativë të dërgimit në Komisionin e Venecias të kërkesës për dhënien e një mendimi mbi çështjen e hapjes së kutive të fletëve të votimit. Diçka e tillë është cilësuar e papranueshme nga njerëzit pranë kryeministrit Sali Berisha. Kundërshtimi i PD-së për propozimin e fundit dhe mospranimi i PS-së për të përfituar vetëm kutitë e materialeve zgjedhore ka penguar ecurinë e mëtejshme të negociatave. Këtu e ka bazën edhe reagimi i ashpër dhe publik i ambasadorit Bosch.
BoschMisionet kryesore diplomatike në vend kanë zgjedhur ambasadorin e OSBE-së, Robert Bosch, për të deklaruar se faktori ndërkombëtar u ka paraqitur një marrëveshje dhe kjo duhet pranuar nga palët si zgjidhje e krizës së zgjatur politike në vend. “Ajo që dua të them është se që dje, ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve do t’i inkurajoja udhëheqësit politikë të pranojnë kompromisin tani, të tregojnë kurajë, të tregojnë se janë burra shteti, të mos përpiqen të shmangen duke përdorur teknikalitete, të shikojnë interesin e vendit të tyre. Mos vini të parat interesat tuaja personale dhe bëjeni hapin e madh! Koha është tani! Nuk do të ketë më kohë për t’u zgjatur!” - tha Bosch. Ambasadori Robert Bosch u tregua hermetik në komunikimin e tij nëpërmjet kamerave me dy udhëheqësit. “Nuk do të them se cili është kompromisi. Liderët, të cilëve unë po u drejtohem e dinë shumë mirë se cili është kompromisi dhe është një kompromis shumë i mirë që duhet pranuar. Ky kompromis ka mbështetjen e Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe OSBE-së. Ai vërtet duhet pranuar”, u shpreh Bosch. I pyetur pak pas deklaratës së ambasadorit Bosch, kryetari i Partisë Socialiste tha vetëm një fjali. “Unë dua të theksoj se jemi të vendosur për çdo zgjidhje që i hap rrugë transparencës”, u shpreh Rama.
NegociatatBurime të rezervuara thanë për “Shqip” se Partia Socialiste ka kërkuar në negociatat me ndërkombëtarët që të pranohet hapja e kutive të materialeve zgjedhore, por gjithashtu të çohet në Komisionin e Venecias interpretimi ligjor i çështjes së hapjes apo jo të kutive të fletëve të votimit. Mazhoranca, nga ana e saj, ka pranuar me insistim vetëm idenë e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore nga komisioni hetimor parlamentar. Qëndrimin e saj mazhoranca e ka mbështetur te Kodi Zgjedhor, i cili përcakton se kur dorëzohet baza materiale nga KQZ në Arkivin e Shtetit, bëhet më pas djegia e fletëve të votimit. Mësohet se ndërkombëtarët kanë mbështetur fillimisht propozimin e tyre për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, ndërsa nuk kanë kundërshtuar propozimin e PS-së për dërgimin e çështjes së fletëve të votimit në Komisionin e Venecias.
Sakaq, ndërkombëtarët mund të kërkojnë edhe ngrirjen e fletëve të votimit për një kohë të pacaktuar.
Presidentit të Republikës, Bamir Topi tha dje në emisionin “Zonë e Lirë” se deri më tani nuk ka asnjë draft zyrtar mbi të cilën palët mund të nisin negociatat. “Unë kam dëgjuar shumë zëra. Në dijeninë time nuk ekziston një draft i tillë dhe mesa di unë as në zyrat respektive të shumicës dhe opozitës”, deklaroi Topi. Presidenti bëri të ditur se opsionet e kompromisit për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore dhe mandej ngrirjen e kutive për fletët e votimit janë vetëm negociata të ndërtuara mbi komunikime personale dhe jashtë çdo konteskti institucional. “Unë mund të kem në tryezë 1000 variante, por për shkak të detyrës nuk mund të flas”, tha Topi.
#