Berisha takime në Kroaci, hesht ndaj ofertës së opozitës
ZAGREB- Në një kohë kur faktori ndërkombëtar ka dhënë sinjale pozitive mbi ofertën e opozitës, duke evidentuar edhe mundësinë e një kompromisi të afërt politik, Kryeministri Sali Berisha vazhdon të tregohet indiferent ndaj gjendjes politike, pasi nuk ka dhënë asnjë koment në vazhdën e takimeve të tij në Kroaci.
Kreu i qeverisë mori pjesë dje në Takimin e 19-të vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku është diskutuar mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, si dhe mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i. Berisha ka folur në këtë takim mbi përpjekjet e qeverisë shqiptare për të parandaluar pasojat e krizës ekonomike globale, ndërsa nuk ka shfaqur asnjë qëndrim politik mbi atë që po ndodh me krizën politike në Shqipëri, konkretisht mbi kërkesën e Partisë Socialiste dhe sinjaleve që kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë për daljen nga ngërçi politik.
Edhe gjatë takimit të tij me homologun maqedonas, Nikolla Gruevksi, Berisha e ka përqendruar diskutimin e tij në marrëdhëniet midis dy vendeve si dhe në projektin e autostradës, pjesë e Korridorit 8, që do të lidhë të dy vendet, ndërkohë që opozita ka protestuar dje sërish përpara selisë së Kryeministrisë, duke kërkuar transparencën e plotë të zgjedhjeve. Të dy kryeminisrtat kanë folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit dhe dosmosdoshmërinë e zbatimit të plotë të saj, me qëllim për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërkohë që Shqipëria gjendet prej nëntë muajsh në një destabilitet politik, për shkak të mosfunksionimit të duhur të inistitucioneve, kur opozita ka bojkotuar Parlamentin dhe komisionet e tij.
"Duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Marrëveshjes së Ohrit, Kryeministri Berisha theksoi se zbatimi i plotë i saj dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura në këtë kuadër është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në vendin fqinj",-thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë, ndërsa në asnjë nga takimet e kreut të ekzekutivit nuk është evidentuar gjendja politike në vend, dhe për opsionet e zgjidhjes së saj, kur faktori ndërkombëtar ka shfaqur premisën e zgjidhjes së krizës politike përmes një kompromisi politik, për të cilin pritet vetëm firma e liderëve politikë.