Rama: Të rezistojmë me durim. Zgjidhja është afër

"Rezistencë, kurajë dhe durim. Do të rezistojmë me kurajë e durim dhe do ta fitojmë këtë betejë për të vërtetën pa thyer asnjë xham dhe këputur asnjë lule"
TIRANË - Mundi dhe sakrifica e 200 grevistëve të lirisë, por edhe atyre mijëra qytetarëve të tjerë që mbështetën kauzën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve në gjithë këto muaj duket se nuk do të shkojë kot. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar dje në protestën e tretë masive brenda 14 ditëve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" se zgjidhja e krizës politike dhe e çështjes së tyre është shumë afër. Mes mllefit të protestuesve që shpesh herë ka tentuar të dalë jashtë kontrollit, mijëra qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria i kanë dhënë kurajë grevistëve të urisë dhe forcë drejtuesve të opozitës për të çuar deri në fund betejën për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të shkuar.
Protesta
Protesta e opozitës ashtu siç edhe ishte parashikuar ka nisur më herët se herët e tjera, pasi qytetarët e ardhur nga të gjitha qarqet e Shqipërisë, por edhe ata nga Tirana në sensibilizim me grevën e urisë dhe kërkesave të grevistëve kanë bllokuar kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, duke paralizuar për disa çaste edhe trafikun e makinave. Për rrjedhojë, protesta e djeshme nuk ka nisur si herët e tjera, ku mbështetësit mblidheshin fillimisht në sheshin "Skënderbej" dhe prej andej të udhëhequr nga drejtuesit e opozitës zhvendoseshin drejt sheshit përballë kryeministrisë.
Grupet e protestuesve sipas qarqeve kanë pasur dhe pikat se ku duhet të dilnin në bulevard për t'u bashkuar më pas në sheshin përball tendave të grevës së urisë. Në kryqëzimin tek ura e Lanës protestuesve të ardhur nga veriu dhe atyre të ardhur nga Korça dhe Elbasani i është bashkangjitur edhe kreu i PS-së Edi Rama, i cili se ka pasur të lehtë të çajë turmën, e cila shtrihej tashmë nga çadrat përballë kryeministrisë deri tek hapësira mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes. Me sistemimin e protestuesve në shesh, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka hapur mitingun, i cili duke marrë shkas nga pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në të, nuk ka nguruar ta cilësojë si uragani i së vërtetës.
Më pas e kanë marrë fjalën me radhë drejtues të forcave të tjera opozitare si Paskal Milo, Nard Ndoka, Spartak Ngjela, të cilët gjithashtu kanë shprehur se ora e zgjidhjes po afron, ndërsa nuk kanë munguar të akuzojnë kryeministrin se po refuzon zgjidhjen e ofruar nga ndërkombëtarët.
Rama
Kreu socialist, Edi Rama, fjalën e vet e ka nisur me një falënderim për të gjithë ata deputetë dhe qytetarë që prej dy javësh i kanë dhënë një rritëm të ri betejës për transparencën e votave, ndërsa ka shprehur bindjen se ajo nuk do të ndërpritet deri sa të ketë një zgjidhje të plotë. "Prej 14 ditësh burra e gra, djem e vajza, nëna e baballarë janë në grevë urie në mes të Europës, për të dëshmuar me forcën e aspiratës sonë të përbashkët europiane, kundërshtimin stoik ndaj pushtetit të kutive të mbyllura që ka paralizuar demokracinë, ka gjunjëzuar drejtësinë dhe po shkatërron ekonominë, po që kurrë nuk mund të na gjunjëzojë ne", - tha kreu socialist.
Megjithatë, ai është treguar shpresë plotë se situata po shkon drejt një zgjidhje dhe kjo siç theksoi Rama falë një komunikimi të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar, i cili ditët e fundit i kanë ofruar forcave politike një zgjidhje kompromisi mbi tavolinë. Duke iu referuar pikërisht këtij dokumenti, shefi i opozitës ka theksuar se zgjidhja është më afër se kurrë më parë. "Zëri ynë po dëgjohet, kauza jonë po përparon, zgjidhja është sot më afër se asnjëherë në këta nëntë muaj falë edhe shkëmbimeve shumë pozitive të ideve që kemi pasur sidomos ditët e fundit me miqtë e partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë", - tha Rama.
Më tej, ai i është përgjigjur të gjitha atyre zërave që vinin edhe nga sheshi për të mësymë kryeministrinë, duke bërë të qartë se s'ka besuar dhe nuk do të pranojë asnjë herë dhunën si element të zgjidhjes së një krize. "Kam dëgjuar këto ditë sidomos zëra që e kërkojnë energjinë opozitare të shfryjë në veprime të dhunshme, me argumentin se nuk merr vesh paqësisht ky pushtet i vjedhur dhe ky kryeministër i pavotuar. Ne nuk kemi dalë në rrugë për të shkatërruar e djegur Shqipërinë, po për të ndaluar dorën që shkatërron ëndrrat e djeg shpresat e shqiptarëve", - u shpreh më tej kryetari i PS-së.
Për të çuar deri në fund këtë kauzë, ai ka kërkuar nga mbështetësit që të vijojnë të bëjnë atë që kanë bërë gjithë këto ditë duke protestuar paqësisht, dhe për të rezistuar deri sa qeveria të dorëzohet dhe të pranojë kërkesat e grevistëve. "Rezistencë, kurajë dhe durim. Do të rezistojmë me kurajë e durim dhe do ta fitojmë këtë betejë për të vërtetën pa thyer asnjë xham dhe këputur asnjë lule. Varfëria e aspiratave për Shqipërinë është armiku ynë dhe ne nuk mund të jemi kaq të varfër në aspirata sa t'i drejtohemi dhunës si mjet për kauzën tonë.
Bëni këtë që keni bërë gjithë këto ditë", - përfundoi fjalën e vet kreu i opozitës Edi Rama, teksa i është dhuruar edhe një buqetë e madhe me lule nga grevistët për kurajën dhe mbështetjen që ai i ka dhënë çdo ditë sakrificës së tyre.