Ngjela: Berisha të pranojë ofertën e ndërkombëtarëve

TIRANË - I vetmi që ka artikuluar qartë gjatë protestës se zgjidhja është në dorën e kryeministrit Berisha pas kompromisit të ofruar nga ndërkombëtarët, ka qenë kryetari i PDiDr, Spartak Ngjela. Gjatë fjalës së mbajtur në protestën e djeshme, Ngjela ka deklaruar se në tryezën e kryeministrit Sali Berisha është hedhur kompromisi i ofruar nga SHBA-ja, BE-ja dhe OSBE-ja, që pret vetëm firmën e tij.
"Këta 200 njerëz në grevë urie, mund të kenë konsumuar 14 vjet jetë dhe këtë ia kanë falur lirisë, demokracisë dhe juve... Ka kohë që këta tiranë tallen me nderin tonë, marrin nëpër këmbë dinjitetin tonë dhe tallen me popullin me viza dhe gjëra të frenuara. Sot në tryezën e kryeministrit është hedhur kompromisi nga BE-ja, OSBE-ja dhe SHBA-ja dhe ky palaço rrugësh nuk pranon kompromisin e perëndimorëve, atëherë përse duhet ta pranojmë. Nga ky shesh duhet t'i tregojmë vendin", - tha Ngjela.
Sipas tij, Kryeministri, jo vetëm nuk i përgjigjet frymës dhe dëshirës së popullit, por ka frikë të dalë para tij. "Ai ka mbyllur bashkë me kutitë mirëqenien dhe dinjitetin tonë. Për çfarë Europe flet ky njeri që refuzoi kompromisin. Në emër të 200 mijë njerëzve dhe 200 të tjerëve që sakrifikojnë jetën, të presim përgjigjen e këtij njeriu, të pranojë kompromisin", - tha Ngjela.