Arrihet marrëveshja për mandatin e EULEX-it

Pajtueshmëria është arritur gjatë një vizite jopublike që të enjten dhe të premten ka zhvilluar në Kosovë komandanti i operacioneve civile në Bashkimin Evropian, Hansjorg Haber, shkruan gazeta Koha Ditore.
Pos me njeriun që ka qenë në korrespodencë me Brukselin gjatë harmonizimit të përmbajtjes së letrave, zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, gjatë dy ditëve zyrtari evropian ka takuar edhe kryeministrin Hashim Thaçi, dhe zyrtarë të lartë të dy partive opozitare – LDK-së dhe AAK-së. Për rrjedhojë është marrë garancia se dokumenti që do t’i garantojë mandat EULEX-it, do të marrë së paku 80 vota në Kuvend.
Dokumenti nuk do të jetë marrëveshje, por një letërkëmbim ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton. Në adresë të Brukselit, Jahjaga do ta nisë letrën të hënën. Të martën është paraparë që ajo të jetë në tryezën e Këshillit të Ministrave të BE-së. Ndërkaq, të premten do të qitet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës.