E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrin në 32 numri i të arrestuarve për kontrabandë gjedhesh

Ministria e Punëve të Brendshme sot në Shkup bëri të ditur detaje lidhur me arrestimin e grupit të kontrabandistëve të gjedheve në kufirin Maqedoni – Shqipëri. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Ivo Kotevski ka theksuar se në grupin e kontrabandistëve janë të përfshirë shtetas të Maqedonisë dhe të Shqipërisë.

“Grupi ndërkombëtar kriminal përbëhej nga 18 shtetas të Maqedonisë dhe 14 shtetas shqiptarë. Ata u zbuluan gjatë hetimeve të nisura nga viti 2011 e deri në vitin 2013 përmes operacionit të koduar ‘Milka’, që merrej me kontrabandën e bagëtive, kryesisht gjedheve, duke përfituar shuma të majme parash”, ka thënë ai, njofton agjencia Ina.

Sipas MPB-së, në mesin e grupit të organizuar janë ndaluar edhe pesë zyrtarë policorë nga pikat kufitare me Shqipërinë, “Bllatë” dhe “Xhepishtë”, si dhe një veteriner nga Kërçova.

Nga hetimet e zhvilluara bëhet e ditur se janë kontrabanduar mbi 2 mijë frymë lopë, ndërsa nga ky biznes i paligjshëm janë përfituar miliona euro./Indeksonline/   

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›