E Shtunë, 31 Tetor 2026

MUP-i serb mbyll të gjitha zyrat në veri

Mbyllen të gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës. Kështu të paktën bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Prishtinë. Zëdhënësi Baki Kelani ka deklaruar se zyrat e MUP-it serb janë mbyllur nga vet ata të cilët i kanë hapur, që do të thotë nga zyrtarët e MPB së Serbisë. Ky proces është monitoruar nga EULEX-i, në një rast edhe nga Policia e Kosovës.

“Mbylljet e para kanë qenë në Leposaviq dhe më pas kanë vijuar me Zveçanin, Zubin Potokun dhe javën e kaluar me Mitrovicën”, ka thënë Kelani, transmeton TCH.

Një pjesë e zyrtarëve të këtyre strukturave pritet të punësohen në Drejtorinë Rajonale të PK-së në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, bajram Rexhepi, bazuar në marrëveshjen politike kohë më parë emëroi serbin Nenad Gjuriq ushtrues detyre të komandantit të policisë për rajonin e veriut.

Policia e Kosovës konfirmon se Gjuriq ka nisur punën si drejtor policor, por shprehet e rezervuar për sa i përket strukturës organizative që do të ketë drejtoria policore në veri.

“Policia e Kosovës ka pasur zyrtarët e vetë që kanë operuar, ndërsa ushtrimi i detyrës së komandantit për veriun do të jetë për stacionin policor që ka ekzistuar atje”, ka sqaruar Kelani.

Mbyllja e zyrave të MUP-it serb bëhet në kohën që Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për amnisti, i cili është garant për të gjithë serbët se nuk do të ndiqen penalisht për vepra penale që ndërlidhen me thirrje për rezistencë ose cenim të rendit kushtetues, me përjashtim të vrasjes./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›