Arsenali i kthehet fitores

Arsenali ka shënuar fitoren e parë pas tre barazimeve radhazi në fushën e Blackpoolit me rezultat 3-1, për të vazhduar luftën për titull të kampionit në Premir Ligën, gjashtë javë pa përfunduar sezoni.
Arsenali hyri me qëllim të qartë në këtë takim, fitoren. Abu Diaby ia dhuron Arsenalit epërsinë e parë pas 18 minutash lojë, me ndihmën e Robin Van Persiet.
Epërsia dyfishohet vetëm tre minuta më vonë (21’), kur Emmanuel Eboue shënoi për 2-0.
Në pjesën e dytë vendasit rikthehen në lojë. Taylor-Fletcher realizoi për 2-1 (52’) duke i dhënë një fije shpresë lojtarëve për të vazhduar presionin. Mirëpo, Robin van Persie dëshmoi kalibrin prej sulmuesi që është, duke shënuar për rezultatin përfundimtar 3-1 (76’).
Me këtë fitore Arsenali vazhdon ta përcjellë Manchester Unitedin në garë për titull në Premier Ligën me 62 pikë, shtatë më pak se Djajtë e Kuq që janë liderë, por Topçinjtë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.