Arsenali rihap luftën, tani sytë nga Mançester-Çelsi
Arsenali e ka rihapur luftën për titull në Premier Ligë pas fitores së arritur në “Emirates” në derbin kryesor të kësaj jave në Europë ndaj liderit të kampionatit, Mançester Junajdit. “Topçinjtë”, të flakur nga lufta për titull, nuk kanë bërë asnjë tolerancë ndaj skuadrës së Sër Aleks Fergusonit, duke fituar 1-0 dhe, duke e shndërruar sfidës e javës së ardshme Mançester-Çelsi, në një nga ato “për jetë a vdekje”. Pjesa e parë u shoqërua nga një lojë e baraspeshuar e herë-herë monotone dhe në ato pak raste që lojtarët dolën përballë portierëve kundërshtarë, ishin portierët që u shndërruan në protagonistë. Megjithatë, vlen të përmendet një moment i rëndësishëm, kur Arsenalit iu mohua një penallti e pastër, kur mbrojtësi serb, Nemanja Vidiç, ia hoqi topin nga koka Van Persit, teksa ky i fundit mund të kishte shënuar. Por kryesori i ndeshjes nuk e vërejti këtë moment dhe vijoi lojën.
Në pjesën e dytë është Arsenali që merr lojën në dorë. Pas një goditjeje të lirë të ekzekutuar nga Nani, ishin lojtarët e Arsenalit ata që filluan një kundërsulm, me Van Persin, i cili gjeti të lirë të sapokthyerin nga dëmtimi Aron Ramsej, i cili me gjakftohtësi realizoi për golin e vetëm (56’), që doli të ishte i fitores. Deri në fund Junajtid bëri mjaft presion, por ndërhyrjet e portierit Sheshzni dhe përqëndrimi në mbrojtjen e “topçinjve”, bëri që takimi të përfundonte me fitore për londonezët. Me këtë fitore Arsenali ngjitet në kuotën e 67 pikëve, tre më pak se Çelsi në vendin e dytë dhe gjashtë më pak se Mançester Junajtid në vendin e parë. Çelsi shkon në Mançester javën e ardhshme në “Old Trafford”, për të luajtur ndeshjen që pritet ta vendosë dhe fatet e titullit. Nëse ndodh që Çelsi fiton përballjen direkte, atëherë blutë do të ngjiteshin në vendin e parë dhe do t’i kishin të gjitha predispozitat për ta fituar titullin, pasi edhe golaverazhi edhe përballjet direkte me Junajtid janë në favor të skuadrës së Ançelotit. Nuk duhet të përjashtohet nga gara as Arsenali, që në rast të ndonjë fitoreje të Çelsit, do të shpresonte në gabime të dy rivalëve në javët në vazhdim edhe pse kjo vështirë të ndodhë.