E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsimi është qelbur nga koka

Julian Hoxhaj

Skandali  i shitjes së diplomave nga një universitet privat në Tiranë po komentohet në një mënyrë sikur ky të ishte një skandal i padëgjuar më parë. Në fakt, ky zbulim nuk është as më shumë dhe as më pak, por një pjesë e degjenerimit të shteti dhe të kapjes së tij me biznesin e arsimit. Ndërkohë, media dhe shoqëria po përqendrohet te ky skandal sikur të ishte rasti më flagrant. Unë si student në një prej universiteteve publike të vendit ngre një pyetje: po në universitetet publike a shiten diplomat dhe si mund të ndodhë kjo?  Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se universitetet publike dhe sistemi jonë arsimor është në pjesën më të madhe i korruptuar.

Shumica e studentëve në universitetet publike dhe sidomos në ato universitete që janë më pak të kontrolluara nga shteti ku niveli i stafeve akademike lë për të dëshiruar, blerja e notës është fenomeni më normal dhe më flagrant që po degjeneron përditë e më shumë. Dhe nëse do e krahasojmë blerjen e diplomës së Renzo Bossit me blerjen e notës, për mua është e njëjta gjë. Kjo, sepse ndryshimi i vetëm këtu është se një pjesë e parave të Bossit i shkon shtetit, ndërsa në universitetet publike këto lek i shkojnë vetëm pedagogëve.

Gjithashtu shitja e diplomës në një universitet privat mund të duket e pa ligjëruar për faktin se studenti  mund ta blej diplomën pa shkuar fare në universitet, ndërsa në universitetet publike ky student blen një diplomë të ligjëruar sepse ai duhet të paraqitet në provim dhe shteti atij ia njeh këtë diplomë si të rregullt pasi ai nuk ka shkelur ligjin dhe është në rregull me gjithçka. Pra ndryshimi i vetëm është fakti se shteti u jep mundësi të gjithëve të  blejnë një diplomë në mënyrë legjitime duke paguar provimet.

Pra peshku është qelbur nga koka. Përpara se të shohim privatin që ka një numër të vogël studentësh, duhet të shohim tregun më të madh universitar atë publik. Si rrjedhojë skandali i Bossit është skandal shtetëror që tregon paaftësinë, kapjen dhe shkatërrimin e institucioneve nga njerëz të tillë që shesin diploma apo i kanë blerë ato si Bossi. Është fatkeqësia më e madhe që mund ti ndodhë një kombi, është shkatërrimi dhe përdhosja e ëndrrës së rilindasve , të atyre mendjeve të ndritura që ëndërruan për një Shqipëri të kulturuar dhe të qytetëruar.

Nëse Naimi do të ishte gjallë dhe të shihte këtë skandal është e vështirë të them se si do të  ndjehej ai, por një gjë mund të them me siguri që kurrë nuk do ta pranonte këtë Shqipëri për të cilën u dergj. Ky nuk është një skandal por një kancer që po gërryen përditë e më shumë shoqërinë tonë dhe askush nuk del ta denoncoj. Kjo është shkatërrimi i vetvetes dhe rrënimi i demokracisë që aq shumë e kemi dëshiruar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›