Sfidat e projektit të shpresës
Zgjedhjet presidenciale në Francë përfunduan me rikthimin e socialistëve pas 17 vjetësh në Elyse. Francois Hollande, i cili ndërtoi ofertën e tij politike mbi shpresën , ndryshimin dhe të ardhmen, javën që vjen do të betohet si President i Republikës, në një moment vendimtar për Francën si në aspektin e brendshëm, ashtu dhe në arenën globale. Presidenti në ikje, Nicolas Sarkozy, e bazoi fushatën zgjedhore te frika që do të vinte nga emigracioni për shkak të qëndrimit liberal të së majtës ndaj kësaj shtrese, kërcënimi për rendin publik dhe pasojat ekonomike me të cilat do të përballeshin qytetarët e Francës për shkak të programit të së majtës, në themel të së cilës nuk qëndronin politikat e shtrëngimit, por ato të rritjes ekonomike. Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, Sarkozy deklaroi tërheqjen nga jeta politike, duke marrë mbi shpinë përgjegjësinë.
Duke qenë se pata fatin ti ndiqja nga afër zhvillimet e mësipërme, falë mikpritjes bujare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane, sikundër të shkëmbej pikëpamje me zyrtarë të lartë të institucioneve franceze, por edhe njerëz të botës së mendimit politik e akademik, e çmova të nevojshme që të ndaj me opinionin publik disa nga arsyet përcaktuese të fitores së Hollande, duke hedhur dritë, në të njëjtën kohë, mbi dallimet mes kandidatëve dhe sigurisht, sfidat me të cilat pritet të ballafaqohet projekti i shpresës i Presidentit të porsazgjedhur të një prej vendeve më demokratike dhe më me influencë në arenën europiane dhe ndërkombëtare.
Presidenti normal Francois Hollande
Përpara se të fillonte gara zgjedhore, socialistët, përmes një votimi paraprak që rroku zemrat e tre milionë qytetarëve, zgjodhën drejtpërdrejt si kandidat të tyre për President të Republikës, Francois Hollande. Kandidatët e tjerë socialistë u rreshtuan në mbështetje të kandidatit fitues, pavarësisht dallimeve programore. I shkolluar në shkollat më të mira të Francës, duke përfshirë edhe prestigjiozen e administratës publike, Hollande u kritikua për mungesë eksperience në administrimin qendror të vendit. Një kritikë e tillë duket se u fashit shpejt. Pasi Hollande u perceptua si politikani pajtues i brezave dhe rrymave të ndryshme të mendimit politik progresist francez. Ky perceptim merr një vlerë të veçantë nëse kemi parasysh sagën e grindjeve e përçarjeve nëpër të cilën janë përfshirë socialistët francezë në të shkuarën.
Në këtë frymë, Hollande ka shprehur hapur admirimin për Presidentin Mitterrand, rrugën e të cilit dëshiron të ndjekë. Ka punuar për Jacques Delor dhe është frymëzuar nga vizioni i tij për ekonominë dhe Europën. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka drejtuar Partinë Socialiste Franceze në kohën kur Kryeministër ishte Lionel Jospin, me të cilin ka bashkëndarë vendimmarrje politike.
Me të marrë besimin e socialistëve, Hollande nuk rreshti së demonstruari një prerje të ndryshme politike nga Sarkozy. Duke mbajtur parasysh anketimet e ndryshme që tregonin idhnimin e qytetarëve francezë ndaj jetës luksoze të Presidentit Sarkozy, korrupsionit, krizës ekonomike dhe thellimit të pabarazive sociale, Hollande aplikoi modelin e politikanit normal, që e kërkon ndryshimin pikësëpari nga vetja. Ai udhëtonte me motor, si një pjesë e mirë e bashkëqytetarëve të tij. Nuk frekuentonte jetën e salloneve dhe mbante lidhje me qytezën periferike të Tullës që e mandatoi politikisht. Siç e perifrazoi shtypi francez, ai ishte një kandidat presidencial pa orë Rolex në dorë dhe jo i dhënë pas jetës së jahteve. Shumëkujt i bëri përshtypje përunjësia që tregoi në momentin e shpalljes së rezultatit. Përdorimi i një makine modeste dhe ndalesa e parë për të mbajtur fjalimin përshëndetës në qytezën, njëkohësisht zonën e tij zgjedhore, para se të nisej për festën e madhe që e priste në sheshin e Bastijës në Paris.
Triumfi i shpresës përkundrejt frikës
E gjithë fushata presidenciale, sidomos raundi i dytë, u zhvillua në dy pista që nuk kishin pikëprerje me njëra-tjetrën. Sarkozy u zhvendos qartësisht djathtas duke tentuar të fitojë zemrat e mbështetësve të ekstremit të djathtë. Apeli i tij publik u përqendrua në çështjet e emigracionit dhe rendit publik, duke stigmatizuar rivalin socialist për politika favorizuese ndaj kësaj shtrese. Ai tentoi të ngjallte ndjenjën e frikës te francezët e drobitur nga kriza ekonomike, duke u kërkuar atyre që të mos e ndërrojnë kapitenin e anijes në një det të trazuar. Madje, nuk ngurroi ta konsiderojë katastrofik premtimin e Hollande për rritjen ekonomike dhe rishikimin e traktatit financiar që u firmos para pak kohësh nga 25 vende anëtare të BE-së.
E kundërta ngjau me Hollande, i cili kombinoi faktet me projektin e shpresës në trajtën e historive të treguara. Nga njëra anë, listoi të gjitha dështimet e Presidentit Sarkozy. Nga ana tjetër, përktheu në mesazhe gjithëpërfshirëse politike ambicien për të qenë President i të gjithë francezëve, duke ringjallur shpresën dhe premtuar ndryshimin përmes një politike të re sociale, në qendër të së cilës qëndron rritja ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës, shpëtimi nga diktatura e korrupsionit, reduktimi i pabarazisë sociale, rritja e fuqisë blerëse, edukimi dhe rinia. Hollande shkoi më tej duke artikuluar nevojën për përqasjen e shoqërisë franceze me vlerat sociale të skalitura në vendet e Europës Veriore, teksa kërkoi një politikë taksimi më të ndershme që bazohet në raport proporcional me të ardhurat.
Edhe dueli televiziv mes dy kandidatëve nxori në pah një Sarkozy agresiv në mbrojtje të arritjeve apo justifikimeve për mosarritjet gjatë presidencës së tij. Dhe çështë më e rëndësishme, pa ofertë konkrete për qytetarët francezë. Në ndonjë rast, ai humbi qetësinë dhe kapërceu caqet e etikës teksa e shënjestroi rivalin Hollande si gënjeshtar. Sakaq, Hollande drejtpeshoi mesazhin politik, duke u kujtuar francezëve dështimet e presidencës Sarkozy dhe duke paraqitur në stilin e dikurshëm të Tony Blair projektin e shpresës dhe ndryshimit për 5 vitet e ardhshme, mbi bazën e propozimeve tematike.
Europa si çështje e brendshme, por me sytë nga Gjermania
Si një prej vendeve themeluese të Bashkimit Europian, debati politik mbi Europën u konsumua kryesisht për efekt të brendshëm. Pika më e nxehtë mbeti qëndrimi i njëtrajtshëm i Hollande për rinegocim të traktatit financiar. Qëndrim që u kritikua ashpër nga Sarkozy. Ndërkohë që Gjermania u tregua e kujdesshme të bëjë me dije se traktati financiar është një çështje e mbyllur për të. A do të mundë Presidenti Hollande ta tërheqë Gjermaninë në një sipërmarrje të tillë? Nga pikëpamja formale kjo është vështirësish e arritshme. Ekipi i Hollande është i ndërgjegjshëm për këtë. Aq më tepër kur 90% e Produktit të Brendshëm Bruto shkon për rimbursim të borxhit publik. Mirëpo, traktati është fleksibël dhe krijon mundësi për aplikimin e politikave të rritjes ekonomike, krahas atyre të shtrëngimit. Në këtë kontekst, mbetet të shihet se si do ti kombinojë këto dy çështje Presidenti Hollande.
Debati politik për Europën zbuloi edhe ambicien e dy kandidatëve për adoptimin e modelit ekonomik Gjerman. Gjatë duelit televiziv, Sarkozy vlerësoi figurën e ish-kancelarit socialdemokrat Gerhard Schroeder, duke ia atribuuar gjendjen e shëndetshme të ekonomisë gjermane sot, reformave të ndërmarra qysh herët prej tij. Edhe për Hollande boshti franko-gjerman mbetet vendimtar për prosperitetin dhe fuqizimin e mëtejshëm të rrezes së veprimit të BE-së. Tregues i bashkëpunimit të ngushtë është fakti se Presidenti Hollande do ta zhvillojë vizitën e parë jashtë vendit në Berlin. Pritet gjithashtu një bashkëpunim më i intensifikuar me Mbretërinë e Bashkuar dhe një partneritet i ri me vende të Europës Veriore si Danimarka, e cila për momentin mban presiden
