E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani, sfinksi që i buzëqesh me ironi Diplomacisë

PANDELI MAJKO

NATO po përforcon trupat e saj në Kosovë. Rreth 700 trupa amerikane mbërritën në Shqipëri për një stërvitje të përbashkët disaditore.  Vakumi politik parazgjedhor në Serbi dhe Greqi nga njëra anë dhe gjendja e tensionuar n¸ ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në Kosovë, dhe jeta e dyfishtë e Bosnjë-Hercegovinës, e risjellin Ballkanin edhe më sfidues për politikat e sigurisë rajonale.
Politika amerikane pas Luftës së Ftohtë pati një  protagonizëm të paprecedent në rajonin e Ballkanit. Të qenit superfuqia kryesore në botë është një shpjegim i thjeshtë për ta kuptuar rolin ekskluziv që ajo i ruajti vetes në këtë hapësirë europiane.
Pas Luftës së Ftohtë, politika ballkanike ndoqi me vëmendje pikat kulmore të strategjisë amerikane, të cilat u shfaqën gjatë çlirimit të Kuvajtit, ndërhyrjes në ish-Jugosllavi, pas 11 shtatorit, luftës së Irakut dhe bombardimin e Libisë nga NATO.
Ballkani, ose siç quhet tani me përkëdheli diplomatike, Europa Juglindore, nuk është një rajon i lehte për tu kuptuar. Vështirë se ekziston ndonjë territor si ai ballkanik, që të ketë qenë zonë kufitare e ndryshimeve të historisë njerëzore. Kjo daton me kufijtë midis Romës katolike dhe botës ortodokse të Kostandinopojës (sot Stamboll). Më pas kjo u zëvendësua nga kufiri midis Perandorisë Osmane dhe hapësirës së Rilindjes Europiane. Nuk çuditesh kur verifikon se Lufta e Parë Botërore filloi në Ballkan nga çekuilibrimi i interesave të Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Stambollit.
Pas Luftës së Parë, Ballkani me meritë fitoi nga Diplomacia ndërkombëtare titullin Fuçi baruti. Përballë saj në këtë periudhë u shfaq për herë të parë politika amerikane me idetë uillsoniane, e cila iu bashkëngjit pragmatizmit britanik dhe francez për rajonin. Konkluzioni i tyre për krijimin e Jugosllavisë për të zëvendësuar rolin austro-hungarez e bëri edhe më të komplikuar balancën rajonale.
Lufta e Dytë Botërore ishte për rajonin e Ballkanit vetëm vazhdim i së parës. Fronti i luftës së radhës vinte në rajon me pamjen e ofertës për të prishur status quo-në, ku çdo palë bashkohej me kundërshtarin e palës tjetër. Ndarja e padukshme në rajon ishte midis atyre që donin dhe nuk donin status quo-në e vendosur nga konflikti i fundit.
Lufta e Ftohtë ishte një mbulesë ngrirje për rajonin. Ndarja e Jaltës e përcaktoi sërish Ballkanin si zonë kufitare midis Perëndimit dhe Lindjes. Siç ndodh rëndom, zona të tilla kthehen në bursa të Diplomacisë në kohë paqeje dhe në zona konfrontimi në periudha disbalancimi. Gjatë Luftës së Ftohtë politika amerikane u shfaq si fuqia e radhës që balanconte influencën e vjetër të fuqisë ruse në Ballkan. Marrëveshja e Jaltës u respektua gjeopolitikisht. Greqia dhe Turqia u lidhën me Perëndimin, Bullgaria dhe Rumania u lidhën me Lindjen, kurse Jugosllavia dhe Shqipëria qëndruan në mes.
Mbarimi i Luftës së Ftohtë ndryshoi renditjen e Jaltës. Tërheqja ruse rimodeloi rajonin dhe shkatërroi Jugosllavinë. Ky proces i fundit, pikën kulmore të vet e pati në vendimin e NATO-s për të hyrë në luftën e Kosovës, i cili u konsiderua konflikti më i rëndësishëm në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Jugosllavia vdiq aty ku filloi, dhe vendimin për këtë e morën thuajse të njëjtat fuqi që e krijuan.
Rajoni i Ballkanit, në raport me politikën amerikane dhe jo vetëm me të, po përjeton periudhën e post-Jugosllavisë. Faktorët në rajon janë përsëri të ndarë sipas parimit të kënaqur dhe të pakënaqur.
Nëse do të shtrohet pyetja se çfarë ka ndryshuar në Ballkan?, përgjigjen duhet ta gjejmë sidomos tek operatorët, të cilët ushtrojnë influencë në këtë rajon. Aktualisht vendet e Ballkanit po përballen me gërryerjet e sovranitetit përballë problemeve rajonale. Mbi të po ushtrohet në rritje presioni apolitik i Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Qeveritë e vendeve e Ballkanit janë përballë sfidave serioze për të ndërtuar profilin e tyre të pas-Luftës së Ftohtë. Ky proces zhvillohet jo vetëm si pjesë e makrobalancës midis SHBA, Rusisë dhe Kinës, por edhe të një mikrobalance që fillon me Hungarinë ambicioze, Rumaninë e shqetësuar, Turqinë në rritje, Serbinë e mundur, Kroacinë e rilindur, Greqinë në vështirësi ekonomike dhe Shqipërinë e pamësuar me rolin e saj të ri.
Nuk përmenda më lart fuqitë tradicionale të Europës si Britania e Madhe, Franca, Gjermania apo Italia. Problemi është se ato janë vetë problemi për rajonin e Europës Juglindore. Politika e tyre është në një jetë të dyfishtë midis asaj që ushtrojnë vetë direkt në marrëdhënie bilaterale dhe asaj në emër të Bashkimit Europian.
Mentaliteti kufitar ballkanik di ti dallojë divergjencat. Po ashtu ai di të jetë tepër i ndjeshëm karshi ndarjeve, pasi çdo palë brenda saj sheh me bisht të syrit çfarë bën pala tjetër përballë tyre. Politika amerikane, edhe për këtë arsye, ka qenë përherë e përkthyer mirë në rajon. Ajo bazohet sidomos tek ai kontinuitet që ka karakterizuar politikën e jashtme amerikane pa dallimet majtiste apo djathtiste, të cilat karakterizojnë jo rrallë politikën e qendrave europiane.
Kjo, pa dyshim, e ka bërë politikën ballkanike të vëmendshme ndaj çdo distance të panatyrshme të politikes amerikane dhe asaj që qendrat politike europiane prodhojnë përballë njëra-tjetrës. Lufta e Irakut ishte ndër shembujt epruvetë që ngjallën dyshime serioze dhe që u reflektuan në balancat e reja të pas-Luftës së Ftohtë. Takimi i San Petërsburgut midis Rusisë, Gjermanisë dhe Francës sollën një hije të Marrëveshjes së Rapallos (realizuar pas Luftës së Parë Botërore midis Rusisë komuniste të anashkaluar dhe Gjermanisë së mundur) Sigurisht që ky takim ishte veç një hije e saj, por në sytë e një ballkanasi, asgjë nuk bëhet asgjë. Për të çdo gjë që prek peshoren rajonale ngjall shqetësim. I tillë është edhe vendimi i pritshëm për tërheqjen e trupave amerikane nga baza strategjike në Kosovë.
Pyetjet ballkanike për këtë vendim janë disa. A është kjo tërheqje për ti lënë më shumë hapësirë politikës së Europës në Ballkan? A është vërtet e gatshme Europa që ta plotësojë këtë vakum? Kur themi në këtë rast termin Europa, çfarë kemi parasysh? Këto pyetje janë një ftesë për reflektim ndaj politikës amerikane për ta kuptuar termin Europë ashtu si ajo është, si një strukturë e papërfunduar, ende virtuale, brenda së cilës lëvizin interesa kontradiktore.
Europa, siç na paraqitet, po lëviz me dy shpejtësi midis asaj tradicionale dhe asaj të euros. Ajo shfaqet moralisht dhe ekonomikisht e fragmentuar në tri pjesë. Pjesa europiane e zhvilluar e lidershipit, ajo në krizë ekonomike dhe pjesa tjetër gjeografike ende e paintegruar në BE qëndrojnë mbi një godinë burokratike të papërfunduar. Ajo është ende me fuqi politike të kufizuara për të vepruar në emër të të gjithë anëtarëve të saj. Mendoj se ka informacion të mjaftueshëm për ta bërë realiste politikën amerikane në mostrajtimin e nxituar të Europës si plotësisht të aftë për të qenë një fuqi globale e nivelit të Rusisë, Kinës, Indisë, Japonisë dhe Brazilit. Arsyetimi fillestar është i thjeshtë. Politika amerikane është pjesë e fibrës ndërtuese të Europës. Në konstruktin e saj është vendosur hapësira e aleancës më të rëndësishme amerikane të NATO-s. Për arsyet e veta, procesi historik i ndërtimit të Bashkimit Europian ka prodhuar sasi, e cila ende nuk është bërë cilësi që ta kthejë atë në një fuqi gjeopolitike të standardit të dëshiruar. Një distancim amerikan nga roli natyral ndihmues në ndërtimin e Europës mund të rezultojë edhe shkatërrues për vetë të ardhmen e quajtur Bashkimi Europian.
Ky udhëkryq mundësish e bën të natyrshëm ndjeshmërinë e Ballkanit ndaj politikës amerikane. Ai nuk duhet të nuhasë tërheqjen në strategjinë e politikës amerikane nga kjo hapësirë. Kjo do të rrezikonte një histori të gjatë t

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›