Arsimi i lartë, Fakulteti i Mjekësisë pëson ndryshime
Një draft i plotë propozimesh ka mbërritur në strukturat kryesore, që drejtojnë sot politikat e arsimit të lartë. Madje një pjesë e tyre është edhe në “dosjen” e drejtuesve të këshillave studentore. Konkretisht, sipas draftit fillestar të propozimeve për ndryshimet dhe amendimet e disa pikave, në ligjin e arsimit të lartë, titujt e diplomave, masterat në profesional dhe Fakulteti i Mjekësisë do të preken nga “restaurimet”.
Po ashtu do të jenë pjesë e ndryshimeve cikli i parë i studimeve, por edhe fakultete e degë të veçanta.
Drafti nuk është përfundimtar, por sipas grupit të punës, disa prej ndryshimeve të propozuara në këtë projekt do të merren parasysh me seriozitetin më të madh. Ndërkohë që drafti përfundimtar i konsultuar në çdo pikë të tij do të dërgohet në qeveri për miratim, pasi grupi i punës, bashkë me grupet e interesit, do të bien dakord parimisht dhe nen për nen.
Drafti me propozime“Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare ‘Bachelor’ në fushën e arsimimit të kryer. Programet e studimeve të ciklit të dytë japin të diplomuarve që zotërojnë diplomën universitare ‘Bachelor’, njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë brenda një specialiteti”, thuhet në draft. Sipas propozimeve kërkohet që në fushën e mjekësisë, programet e studimeve të doktoratës të mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës, pasi është marrë edhe miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë propozohet të lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.
Institucionet e arsimit të lartë në fushat e mjekësisë, veterinarisë dhe arkitekturës, propozohen të ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku.
“Në përfundim të programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare ‘Master i shkencave’ në fushën e arsimimit të kryer”, sqarohet në draft.
“Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve profesionale, pas arsimit të mesëm, jouniversitar, me jo më pak se 120 kredite. Zgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë profesionale “Diplomë profesionale në...”, kjo është një nga pikat e reja të kërkuara në draftin fillestar të ndryshimeve. Sipas propozimit, një pjesë e krediteve të studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet e ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin IAL.
Kërkohet që IAL të ketë të drejtë të pranojë kandidatë që kanë fituar diplomë “Master” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i shkencave” dhe të vendosin kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë. Sipas propozimeve paraprake, kërkohet që në studimet e doktoratës të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite dhe përfshijnë 40 deri në 60 kredite për studime të organizuara teorike.