Kërcënohet me jetë gruaja e të zhdukurit
Veç zhdukjes së të afërmit të tyre, familjes së Arjan Bulkut, i cili që në fund të muajit dhjetor është zhdukur pa lënë gjurmë, i është shtuar edhe një shqetësim tjetër. Rolanda, gruaja e Arjan Bulkut, ka marrë tre mesazhe kanosës nga persona të paidentifikuar, të cilët e kanë kërcënuar se do e vrasin, duke e fajësuar edhe për zhdukjen e bashkëshortit. Sipas të dhënave policore, mesazhet kërcënuese kanë ardhur në celularin e saj personal pak ditë më parë.
MesazhetRolanda nuk e ka marrë seriozisht mesazhin e parë, ku i shkruhej se do e vrisnin, duke e akuzuar se ishte shkaktare e zhdukjes së Arjanit. Vetëm tri ditë pas mesazhit të parë, asaj i mbërritën edhe dy mesazhe të tjerë në celular, që ishin edhe më të ashpër se i pari. Sipas të dhënave nga hetimi, në to shkruhej se do e vrisnin dhe nuk do e gëzonte pasurinë, apo fëmijët e Arjanit. Në këto kushte, 35-vjeçarja është paraqitur në polici dhe ka kallëzuar pranë Komisariatit Nr.6 gjithçka që i kishte ndodhur. Ajo ka vënë në dispozicion të oficerit të policisë gjyqësore edhe telefonin, ku ishin të ruajtura SMS-të kërcënuese.
Sapo është regjistruar ky kallëzim, drejtuesit e hetimit të krimit kanë nisur verifikimet dhe kanë vendosur të mbajnë nën përgjim numrin e telefonit nga ku ishin nisur mesazhet kërcënuese. Policia, deri më tani, nuk ka asnjë informacion në lidhje me fatin e Arjan Bulkut. Babai i tre fëmijëve, i cili banon te rruga “Sabaudin Gabrani” (ish-SMT-ja), është larguar nga lokali i tij rreth orës 17:30 të datës 27 dhjetor. Në lokal ka qenë bashkë me djalin e madh, 15 vjeç, të cilit i ka treguar se do të shkonte te tekniku i televizorit. Ai ka lëvizur me autoveturën e tij tip “Golf 3”, ngjyrë të verdhë, me targa TR1947S. Pak pa mbërritur në rrugën kryesore, Arjani është përshëndetur nga larg me vëllain e tij, Besimin, i cili punon si taksist. Që nga ai moment, ai nuk është parë më. Megjithatë, nga disa dëshmi mendohet se ai është parë në Kombinat dy ditë më vonë, por ende nuk është vërtetuar ky fakt.
HetimetNë këto kushte, policia ka nisur hetimet për gjetjen e tij. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, është mësuar se një nga personat që e ka parë në zonën e Kombinatit është një kushëri i tij, i cili është shprehur i bindur se ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij. Veç tyre, policia ka marrë informacion edhe për ndonjë konflikt për çështjen e lokalit, por ka rezultuar se ai nuk ka asnjë problem të tillë. Arjan Bulku punonte edhe si taksist me persona të njohur. Nga ky fakt është frikësuar edhe më shumë familja e tij, pasi dyshon se mund të ketë rënë pre e ndonjë grabitjeje të mundshme.
Më 16 janar policia gjeti mjetin me të cilin ishte parë për herë të fundit Arjan Bulku. Vëllai i tij, Besimi, por edhe policia, kanë treguar se dy persona të njohur të familjes e kanë parë autoveturën “Golf 3”, ngjyrë e verdhë, me targa TR1947S, pranë një pallati, te rruga që të çon te Thesari i Shtetit. Menjëherë ata kanë njoftuar vëllain e të zhdukurit, Besimin. Ky i fundit ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi është siguruar që mjeti i përkiste të vëllait, ka njoftuar shërbimet e policisë së Komisariatit Nr.6. Oficerët e policisë së këtij komisariati, bashkë me kolegët e Komisariatit Nr.4, pasi makina ndodhej në zonën e këtij organi, kanë shkuar në vendngjarje dhe e kanë dërguar atë për ekspertizë. Që nga ajo ditë e deri më sot, nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e Arjan Bulkut.