Zef Shoshi, në GKA me një ekspozitë vetjake
Piktori Zef Shoshi çel sot ekspozitën vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Piktori Shoshi, përmes veprave që do të ekspozojë, sjell stilin e tij të dallueshëm e tashmë të konsoliduar ndër vite. Ekspozita e piktorit Shoshi do të shpalosë krijimtarinë e tij me vepra retrospektive, duke filluar me Autoportretin e vitit 1955, me një grup veprash të periudhës së Akademisë në Rusi dhe duke vazhduar me vepra të periudhës së mbas studimeve (1960-1989), ku bëjnë pjesë gjithsej 27 vepra. Ndërkaq, ai do të sjellë edhe një koleksion prej 35 veprash nga periudha 20-vjeçare 1989-2009, si dhe dy veprat e realizuara në vitin 2010 të titulluara “Pashuku” dhe “Vajza me strajcë”. Gjithashtu, Shoshi do të paraqesë edhe punimet e viteve 2003-2010, të cilat vijnë për të parën herë te publikun. Në këto vepra prioritet marrin ngjyra e ngjeshur dhe drita diellore. Motivet kryesore që ka zgjedhur artisti në kompozimet e këtyre viteve janë ato historike dhe tema e fshatit, kryesisht nga zona e Zadrimës, ku ai është frymëzuar për realizimin e dhjetëra portreteve e kompozimeve figurale. Në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 9 prill, janë paraqitur edhe 12 vepra nga koleksioni i GKA-së. Ekspozitën e parë vetjake në Galerinë e Arteve Zef Shoshi e ka çelur në vitin 2002. Zef Shoshi, që mban edhe titullin “Artist i Merituar”, është pjesë e piktorëve të njohur të realizmit socialist. Ai ka kryer liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë në klasën e piktorëve Sadik Kaceli, Abdulla Cangonji dhe Kel Kodheli, ndërsa studimet e larta i kreu në Shën Petërburg.
#