Këshilli Kombëtar i Punës nis me kritika dhe akuza
Mbledhja e parë për ministrin e Punës dhe çështjeve Sociale, si kryetar i Këshillit Kombëtar të Punës (KKP), nuk shkoi ashtu si e kishte dashur vetë ai, pasi që në fillim përfaqësues sindikatash ngritën dyshimet për punën që po bën këshilli. Mbledhja nisi e tensionuar, ku herë pas here ndërpritej fjala e ministrit Spiro Ksera, ndërsa nuk kanë munguar debatet edhe nga ministrat e tjerë, anëtarë të KKP-së. Të 27 anëtarët e këshillit, ku 20 vijnë nga biznesi dhe sindikatat, kanë diskutuar në pjesën më të madhe të kohës për rendin e ditës, për radhën se kush do të fliste, si dhe për përfaqësimin. U duk qartë se askujt s’i interesonte situata ekonomike që po kalon vendi, problemet me punëtorët, sindikatat, kushtet e biznesit etj., por shqetësimi i tyre ishte rendi i ditës, se kush do të përfaqësonte më tepër kategorinë e caktuar në këshill dhe kush kritikonte e thurte lavde për ministrin. Mbledhja zgjati rreth 1 orë e gjysmë, ku vetëm në fund të saj, 20 minuta, u trajtua çështja e sindikatës së punonjësve të naftës apo mësuesve. Kol Nikollaj, drejtuesi i Konfederatës së Sindikatës së Shqipërisë, lëshoi akuza të forta drejt ministri Ksera, sa u takon anëtarëve që kanë falsifikuar dokumentet, madje duke kërkuar largimin e ministrit nga detyra. Sipas Nikollës, ministri Ksera i shmanget qëllimisht prej tre muajsh një takimi me sindikatat, ndërsa këshilltarët e ministrit kanë konflikte të hapura interesi. “Krahas rrugës gjyqësore, ne do të luftojmë me mjete demokratike e rrugë sindikaliste, duke përdorur të gjithë elementët e rezistencës demokratike për t’i kërkuar Kryeministrit dorëheqjen tuaj si një ministër që punon në kundërshtim me programin e qeverisë së integrimit”, iu drejtua Nikollaj, Kserës. Por sipas ministrit, i gjithë dokumentacioni, rendi i punës dhe anëtarësia e KKP-së, janë bërë mbi rregullat ligjorë dhe transparencë të plotë.
Plani strategjik dhe kompensimi i energjisëKëshilli Kombëtar i Punës miratoi dje Planin Social të Veprimit për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për çështjet Sociale, në kuadrin e Traktatit për Komunitetin e Energjisë. Në bazë të Planit Social të Veprimit qëndrojnë veprimtaritë për arritjen e qëllimeve të vendosura në memorandum, të cilat garantojnë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, sidomos atyre në nevojë, në përputhje me krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjetik rajonal, vendosjen dhe zhvillimin e mekanizmave efektive të informimit dhe konsultimit të partnerëve socialë në sektorin e energjisë, promovimin e zhvillimit të punësimit, trajnimit, formimit profesional dhe të shërbimeve mbështetëse në këtë sektor dhe përmirësimin e kushteve të punës, të sigurisë dhe shëndetit në punë, sigurimin e të drejtave themelore të fondamentale të punonjësve në sektorin e energjisë. Ministri i Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, njëherësh edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Punës, u shpreh se qeveria shqiptare është e vendosur të hartojë dhe zbatojë politika për mbrojtjen e kategorive në nevojë. Kështu, në kuadër edhe të Memorandumit të Mirëkuptimit, tashmë është përgatitur dhe pritet të miratohet VKM që parashikon kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në masën 640 lekë, nga 500 që ishte, pas rritjes së çmimit në fillim të këtij viti. Efektet financiare të këtij kompensimi fillojnë nga 1 janari 2010. “Nga ky vendim do të vazhdojnë të përfitojnë familjet që mbështeten me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, të shpallur të tillë nga komisionet (KPCAP), punonjësit me pagë nën 350 mijë lekë, pensionistët e vetëm, apo që kanë në ngarkim persona të tjerë”, tha ministri.
#