E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimi i lartë, kthehet projektligji i Ministrisë

MASH do të rishikojë edhe një herë projektligjin për arsimin e lartë. Ka probleme me titujt e diplomave


Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për arsimin e lartë kanë hasur në kundërshtime të shumta, si nga pedagogët e universiteteve edhe nga studentët. Projektligji i hartuar nga specialistët e MASH-it është kundërshtuar në dy pikat e tij më thelbësore: ndryshimi i titujve të diplomave dhe autonomia e universiteteve.


Në këto kushte, grupi i punës do të duhet t'i rikthehet edhe një herë projektit për të shqyrtuar edhe një herë këto tema. Gjatë një dalje publike, në fund të muajit prill, vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka shpjeguar në mënyrë të detajuar se çfarë pritet të ndodhë në sistemin arsimor universitar në vend pas miratimit të këtij ligji.


Ndryshimi i titujve të diplomave në ciklin a parë dhe të dytë të studimeve, kështu diploma e nivelit të parë kthehej në bachelor, Master i Nivelit të Parë, do të quhet thjesht Master dhe Diploma e Nivelit të Dytë, shndërrohej në Master i Shkencave. Ndër risitë e tjera, Ministri përmendi edhe autonominë e universiteteve dhe mundësinë e dypunësimit të pedagogëve.


Të gjitha këto ndryshime kanë ngritur pikëpyetje te të interesuarit, pedagogë, studentë e studentë të ardhshëm.


Sipas specialistëve, drafti për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë duhet të pësojë ndryshime, pikërisht në pikat ku flitet për emërtimin e diplomave, në nenet ku preken masterat, shpjegimet dhe interpretimet ligjore për ndarjen mes Masterit dhe Masterit Shkencor.


Ndryshime gjithashtu duhet të ketë edhe në pjesën ku, sipas universiteteve publike, ndeshet cenimi i autonomisë universitare. Pjesë tjetër që do të shqyrtohet, ka të bëjë me zgjedhjen në institucionet e arsimit të lartë.


Një tjetër pikë që duhet rishikuar është edhe bashkëpunimi me universitetet private, me konkretisht nenet ku përcaktohet dhënia e orëve të mësimit, dypunësimin, kriteret për të qenë lektor, si edhe kushtet për të dhënë mësim, në rast se je profesor i brendshëm, shef departamenti, apo në poste më të larta drejtuese.


Projektligji do të rikonceptohet, riformulohet, duke pasur për bazë draftin që u paraqit pak kohë më parë në Këshillin e Ministrave.


Por, kësaj here në draftin "Për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë", mendohet se titujt "Master" dhe "Master Shkencor" do të jepen në bazë të viteve të studimit, krediteve të fituara, duke vendosur "drejtësi" mes studentëve që kryen ciklin e parë të studimeve në katër vite dhe pjesës tjetër, që ka nisur dhe po zhvillon këtë cikël, sipas procesit të Bolonjës.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›