E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arsimi profesional dual, Gonxhja: 16 shkolla profesionale, 7 degë të reja

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Arsimi profesional është një mundësi kualifikimi për gjimnazistët që i përgatit ata si punonjës të kualifikuar për tregun e punës.

Për t’iu përgjigjur kërkesave të epokës së re në të cilën ka hyrë arsimi profesional në Shqipëri, por edhe një kërkese të vazhdueshme të biznesit, Qeveria ka ndërmarrë nismën për zbatimin e sistemit dual, duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ministri në detyrë i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se për vitin shkollor 2025-2026, arsimi profesional është zgjeruar në 16 shkolla me programe duale, nga 10 që kanë qenë vitin e kaluar.

Sipas Gonxhes, në këtë sistem përfshihen edhe 7 degë të reja, që janë: instalime elektrike, menaxhim logjistike dhe furnizimi, diagnostikë dhe menaxhim automjetesh, fashion design, menaxhim eventesh, shërbime ushqimi dhe akomodimi si dhe energjia e rinovueshme.

Gonxhja u shpreh se “arsimi profesional dual është rruga drejt një karriere të sigurt: shkollë + praktikë + punësim”.

Ministri Gonxhja u bëri thirrje të rinjve që të regjistrohen në klasën e 10-të përmes portalit “e-Albania”, ose të vizitojnë faqen www.aftesi.al për më shumë informacion.

Sistemi publik i arsimit dhe formimit profesional përfshin 41 institucione, nga të cilat 31 janë shkolla profesionale dhe 10 janë qendra formimi. Këto institucione ofrojnë kualifikime profesionale të nivelit të mesëm, përfshirë edhe programe të arsimit profesional në formën e dyfishtë, kualifikime pas të mesme dhe programe formimi afatshkurtra, të përshtatura për të gjitha grup-moshat.

Arsimi profesional dual ofron njohuri teorike dhe aftësime praktike që i duhen çdo të riu për të ndërtuar një karrierë punësimi të sigurt.

1 nga 4

/e.i//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›