E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përgatitjet për tregun e vetëm të BE-së, Gonxhja pret drejtoreshën e re të Sekretariatit të CEFTA-s

TIRANË, 16 shtator/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti sot në takim drejtoreshën e re të Sekretariatit të CEFTA-s, (Marrëveshja për Tregti të Lirë në Europën Qendrore) Pranvera Kastrati.

Gonxhja bëri të ditur se gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet në kuadër të CEFTA-s dhe kontributin që kjo marrëveshje jep në procesin e integrimit rajonal dhe në përgatitjen e Shqipërisë për tregun e vetëm të BE-së.

“Shkëmbyem mendime mbi rolin që marrëveshja CEFTA luan në procesin e integrimit në BE, duke adresuar nevojën për fuqizimin e kapaciteteve të vendeve anëtare të CEFTA-s përballë sfidave që burojnë nga procesi i negociatave me BE-në”, shtoi Gonxhja.

Po ashtu, u trajtua mundësia e mbështetjes së Sekretariatit përmes përdorimit të instrumenteve ekzistuese, me qëllim rritjen dhe forcimin e strukturave administrative që mbulojnë aspektet sektoriale të marrëveshjes dhe protokolleve të saj.

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) është një marrëveshje rajonale gjithëpërfshirëse dhe moderne për tregtinë e lirë, e cila shërben si një komponent kyç i agjendës së para-anëtarësimit në BE. Vendet anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Rumania, Bullgaria, Moldavia, Serbia dhe Mali i Zi.

Zbatimi i suksesshëm i kësaj marrëveshjeje deri më sot, përmes liberalizimit të plotë të tregtisë së mallrave, ka ndihmuar në krijimin e një zone të tregtisë së lirë në Evropën Juglindore.

Shqipëria ka eksportuar drejt vendeve të CEFTA-s gjatë vitit 2024 mbi 2 milionë tonë mallra, me një vlerë prej 68,194 milionë lekësh. /j.p/

1 nga 12

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›