E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyetimet për ligj

Kanë kaluar pothuajse dy vjet që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, e cila e përcakton Prishtinën si kryeqytet, funksionimi i të cilit do të rregullohej me ligj të veçantë.

Megjithatë, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka shqyrtuar dhe aprovuar këtë ligj, i cili është miratuar nga Qeveria në prill të vitit të kaluar, por ende nuk është proceduar për shqyrtim dhe miratim të mëtutjeshëm në Kuvend.

Që nga ajo kohë, zyrtarët e Komunës së Prishtinës po arsyetohen se si pasojë e mosmiratimit të këtij ligji, Komuna nuk po mund të bëjë më të mirën për qytetarët.

Sipas Muhamet Gashit, zëdhënës i KK të Prishtinës, si arsyetim i mosmiratimit të këtij ligji është dhënë kostoja e lartë që ka ky projektligj, në shumën prej rreth 8 milionë eurosh në vit, me të cilat do të ishin realizuar një numër i madh projektesh kapitale. Ai thotë se një ligj i tillë i duhet Prishtinës.

“Ky ligj është i domosdoshëm për funksionimin e Prishtinës. Mungesa e tij është duke iu shkaktuar qytetarëve dëme të mëdha dhe në të njëjtën kohë, pengesa të shumëllojshme në zhvillimin dhe avancimin e interesit publik”, tregon Gashi duke numëruar se çfarë Komuna do të bënte po të miratohej një ligj i tillë.

“Me këtë ligj do të rregulloheshin shumë çështje që janë në interes të qytetarëve, do të kishte shërbime më të mira për ta. Tani nuk kemi buxhet. Po të miratohej ky ligj, Komuna do t’i kishte të hyrat e veta”, u shpreh Gashi për Express, duke shtuar se aktualisht Komuna e Prishtinës ka statusin e njëjtë me komunat e tjera, edhe pse është kryeqytet e do të duhej t’i kishte të hyrat e tij.

Ndërsa, sipas Shemsi Veselit, shef i Grupit parlamentar në KK të Prishtinës, nga PDK-ja, Ligji nuk paraqet pengesë për Komunën e Prishtinës që të jetë më efikase në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Nuk është arsyetim i kryetarit të Komunës që për shkak të këtij ligji, i cili ende nuk është miratuar nuk kanë arritur sukseset e deritanishme të Komunës. Ky ligj kurrë nuk ka qenë dhe nuk është pengesë në moszhvillimin e veprimtarisë së udhëheqjes komunale. Tash kjo neglizhencë dhe dinamikë jo e theksuar për realizimin e projekteve është dështim i vetë kryetarit, gjegjësisht i ekipit që ai ka”, thotë Veseli për Express, duke e quajtur një justifikim të pandershëm punën e ligjit si arsyetim të mossuksesit të tij.

Ai thekson se është pro statusit të veçantë që kryeqendra duhet ta ketë.

“Që nga koha kur Ismet Beqiri ka qenë kryetar, e kemi ngritur në mbledhjet që i kemi mbajtur çështjen e statusit të Prishtinës. Mirëpo, prapë po them që kjo puna e statusit nuk e justifikon askënd në qoftë se nuk menaxhohet mirë paraja publike ashtu siç duhet”, shton Veseli.

Megjithatë, sipas tij, Ligji për Prishtinën i ka specifikat e veta, i cili mbështetet në Ligjin për vetëqeverisjen lokale, ligj ky i cili është i miratuar dhe mund të ekzekutohet.

“Nëse komuna “vepron” drejt, ky ligj nuk e pengon takimin e kryetarit me prioritetet e Prishtinës, gjegjësisht bashkësitë lokale dhe qytetarët. Prandaj, po them që kjo situatë është më shumë për të blerë kohë dhe për të justifikuar diçka që nuk mund të justifikohet në raport me mospunën dhe dinamikën e tyre”, përfundon Veseli. duke thënë se sipas informacioneve që ai ka, shumë shpejt do të hyjë në procedurë shqyrtimi për miratim të këtij ligji.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›