E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kouchner: Serbët të ndërrojnë operatorët

Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner duke e komentuar veprimin e Prishtinës lidhur me çmontimin e repetitorëve mobil serb në Kosovë, ka thënë: “Sa di unë telefonat mobil funksionojnë. Askujt nuk i është pamundësuar të flas, por vetëm duhet ta përzgjedh rrjetin”.

Në fakt, në një intervistë për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit, Kouchner ka shfaqur pritjen se në konferencën e ardhshme të BE kushtuar Ballkanit Perëndimor, më 2 qershor në Sarajevë, do të paraqiten edhe Serbia edhe Kosova.

Kouchner ka thënë se për herë të fundit kjo nuk pati sukses në tubimin e mbajtur në Slloveni.
"Le të shpresojmë se në Sarajevë do të vijnë të gjithë dhe do të flasin mes veti", ka shtuar ai.

“Pres të vijnë, por, kjo varet nga ata, nuk mund të them se jam i sigurt. Por, fjala është për procesin, i cili nuk mund të ndalet. E di se përfaqësuesit e Serbisë e të Kosovë tash po takohen më shumë se më herët. Mirëpo, po e përsëris, ky është proces dhe do të duhet një gjeneratë që gjërat të normalizohen”, ka theksuar Kouchner.

Ministri francez gjithashtu ka thënë se Serbia duhet patjetër të zhvillojë një politikë evropiane ndaj Kosovës nëse dëshiron të bëhet pjesë e BE-së.

“Edhe në Beograd edhe në Prishtinë duhet të gjithë ta kenë të qartë se nevojitet të bisedojnë dhe të bashkëpunojnë, e pastaj do të shohim nëse mundemi të përshpejtojmë integrimet evropiane, që do të doja të ndodh”, ka shtuar ai.

Duke cekur se kolegu i tij Vuk Jeremic po e zbaton politikën, për të cilën mendon se mund të sjell rezultate, Kouchner ka thënë se beson se shumica e njerëzve në Serbi, e sidomos të rinjtë, e dinë çka duhet të bëhet.

“Nuk kam kërkuar që Serbia ta njoh Kosovën, veç thjeshtë, të nis të komunikojë me Kosovën. Ekzistojnë çështje të rëndësishme të jetës, sikurse janë energjia elektrike, transporti, udhëtimi i të rinjve, jo vetëm statusi”, konsideron ministri francez.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›