E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Art në tri harqe…”

01/06/2010 “Art nën tri harqe” ka filluar dje në Akademinë e Arteve. Ky është bashkëpunimi mes shkollave të formimit të lartë artistik të Prishtinës, Tetovës dhe Tiranës, që vjen në Tiranë me projektin “Art nën tri harqe” e që do të vijojë deri më 2 qershor.

Një seri performancash artistike, ekspozita të përbashkëta, trajnim e workshop janë planifikuar të mbahen gjatë këtyre ditëve me protagonistë studentë e profesorë, “si një kontribut për një art unik kombëtar me fizionomi dhe strukturë të konsoliduar”.

Aktivitetet kanë nisur me ekspozitën në Galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore, një prezantim i përbashkët i studentëve pamorë nga tre akademitë shqiptare. Paraditen e sotme, fjalën e ka kinemaja. Nga studentë të regjisë së filmit së AA-së dhe të Atelierit të Multimedias së Fakultetit të Artit të Prishtinës, do të shfaqen filma të shkurtër, ndërsa regjisori Haqif Mulliqi do të referojë mbi dialogun në skenarin e filmit. Nga ana tjetër, mbrëmja i është kushtuar muzikës. “Dutilleux”- Sonata për flaut, do të sjellë në skenë Visar Mehmetin (flaut) dhe Neritan Hysa (piano), i cili do të interpretojë edhe Chopin, Baladë në sol minor. Op 23. Është programuar që nga studentët të interpretohen edhe pjesë nga Puçini, “La Boheme”, Quanda men vo, F. List, K. Lara, Ravel, Bellini, “Norma”, Bela Bartok etj.

Nesër do të mbahet një ligjëratë dhe një workshop me titull “Eskili dhe rituali i gjamës shqiptare” nga prof. asc. Bekim Lumi. Artisti Enver Petrovçi do të bashkëbisedojë në skenën e vogël të “Black Box” me studentët, ndërkohë që do të promovohet libri i prof. Fadil Hysaj “Teatrologji, dramaturgji, regjisurë dhe aktrim- antologji tekstesh”. Në lektoriumin e Fakultetit të Arteve të Bukura do të jetë një pikëtakim për artin bashkëkohor shqiptar, ku do zhvillohet një bisedë me pedagogun Ardian Isufi mbi ekspozitën “Teatri i hijeve”. Ora 18.00 shënon një performancë koreografike në sallën e madhe të Akademisë së Arteve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›