E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, qytet i ndotur nga plehrat

01/06/2010 Bashkia apel qytetarëve

SHKODER- Higjiena e qytetit të Shkodrës është përmirësuar dukshëm, por megjithatë lagjet periferike të saj nuk kanë të njëjtën pastërti me ato të qendrës. Ndërkohë edhe mbajtja pastër e qendrës së qytetit po has vështirësi për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të një pjese të qytetarëve. Në lidhje me mospastrimin njësoj të të gjitha lagjeve të qytetit të Shkodrës, drejtuesit e zyrës së shërbimeve pranë Bashkisë sqarojnë se kjo vjen pasi firma pastruese ka një grafik të paracaktuar që në fillim të kontratës për pastrimin e kontenierëve dhe largimin e mbeturinave. Sipas zyrës së shërbimeve pranë Bashkisë Shkodër, në bashkëpunim me firmën kontraktuese për pastrimin e qytetit është bërë një grafik që parashikon heqjen e mbeturinave të kazanëve të plehrave. Në bazë të këtij grafiku, në rrugët kryesore pastrimi nga mbeturinat kryhet një herë ose dy herë në ditë, ndërkohë që përdoret një tjetër grafik për rrugët e tjera dytësore. “Grafiku i marrjes e largimit të mbeturinave ndryshon nga qendra në periferi. Në qendër ka zona që pastrohet një herë në ditë, po ka edhe rrugë kryesore që pastrohen dy herë në ditë, sipas zonës dhe domosdoshmërisë. Ndërkohë ka zona më periferike që pastrohen njëherë në dy ditë”, shprehen drejtuesit e zyrës së shërbimeve pranë Bashkisë së Shkodrës. Pavarësisht këtij grafiku, drejtuesit e kësaj zyre vlerësojnë se puna për mbajtjen pastër të qytetit dhe pastrimi i kontenierëve ka ndryshuar rrënjësisht këto vitet e fundit. Nga ana tjetër ata shprehin shqetësim kundrejt veprimeve të vetë qytetarëve, të cilët po ndotin në mënyrë të papërgjegjshme qytetin. Drejtuesit e zyrës së shërbimeve publike të Bashkisë Shkodër i bëjnë apel komunitetit për ndërgjegjësim, pasi shumë herë janë gjetur mbeturina të hedhura përtokë, të hedhura jashtë kontenierëve, ndërkohë që vetë kazanët ka pasur raste dhe që janë vjedhur për t’u shitur për skrap.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›